Çeta anti-amerikane Berisha-Bardhi duket se është shkalafitur. Edhe pse pretendojnë se janë shumicë, takimi i katërt i mbajtur dje me deputetët e “Foltores” dhe grupin e Gazment Bardhit, tregoi qartë se ata janë pakicë. Ndryshe nga mbledhja e kaluar numri i deputetëve pjesëmarrës ka vijuar të tkurret.
Këtë herë të pranishëm në mbledhjen që u mbajt në Kryesinë e Kuvendit kanë qenë 27 deputetë,16 deputetë më pak se herën e parë, teksa është vënë re dhe mungesa e deputetes Jorida Tabaku që deri më tani rezulton mbështetëse e Gazment Bardhit, por nuk i është bashkuar mbledhjeve të përbashkëta të tij me Sali Berishën. Kjo është hera e dytë që takimi zhvillohet në ambientet e kryesisë së Kuvendit dhe e katërta në tërësi, pasi dy të tjerat u zhvilluan njëra në një hotel privat dhe tjetra në Kukës para mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme të 24 shtatorit 2023.
Pra duket qartë se deputetët kanë nisur dezertimin nga aksioni politik i ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi dhe kreut të “Foltores”, Sali Berisha i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Por kjo shkërmoqje, nuk është e para për çiftin anti-amerikan Berisha-Bardhi.
Kjo pasi “bashkim” i tyre në sprovën e parë në zgjedhjet për kryebashkiakun e ri të Kukësit, jo vetëm dështoj, por duket se bëri që humbja të dyfishohej me shifra të paprecedenta, 5600 vota më pak se kandidati i Partisë Socialiste. Gjithashtu pas këtij takimi ambasada e SHBA në Tiranë doli me një deklaratë të fortë, e cila jo vetëm rikonfirmonte “non-gratën” dhe qëndrimin ndaj Sali Berishës, por “këshillonte” çdo politikanë që të mos bashkëpunojë me atë. Thënë troç shkalafitja e çetës anti-amerikane Berisha-Bardhi, është e paralajmëruar, pasi askush nuk iu shkon pas atyre në aksionin e rrezikshëm ku kanë hyrë, për shkak se po kërcënojnë hapur demokracinë në Shqipëri, duke dalë kundër aleatëve tanë strategjikë sikundër janë Uashingtoni dhe Londra.
Bardhi i shtrin dorën e bashkëpunimit Bashës
Megjithatë për të eklipsuar dështimin e takimit të djeshëm, deputeti Gazment Bardhi ka folur dje pas mbledhjes për emdiat, teksa i ka bërë ftesë Lulzim Bashës që të bashkëpunojnë për propozimet e kryera nga vetë kreu i PD-së si dhe për Reformën Zgjedhore. “Nuk kam çfarë të shoh, janë çështje që trajtohen nga PD prej vitesh, Vetingu politik propozohet prej vitesh dhe s’ka lidhje me Reformën Zgjedhore.
Të vijë në Parlament dhe të bëjë betejë bashkë me neve. I qëndroj çdo firme që hedh. Vetingu politik është draft në Kuvend, e ftoj kolegun Basha që të vijë të flasë në Parlament dhe të bëjë që ky draft të shkojë përpara. Gjithashtu dy apo 3 çështje të tjera të propozuara nga ai s’kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Paguhet për të ardhur dhe për të bërë opozitë në Parlament, ta nisë që të enjten duke përkuar Komision Parlamentar për sistemin TIMS dhe koncesionet në shëndetësi.
Të vijë të bashkohet në këto iniciativa. E ka për detyrë”, deklaroi Bardhi. Ndërkohë Bardhi hodhi akuza në drejtim të mazhorancës se po mban të bllokuar Komisionin për Reformën Zgjedhore. Bardhi po ashtu theksoi se do të çojnë në kushtetuese ligjin për projektin e Portit të Durrësi. “Për të dalë tek çështje konkrete, kam informuar grupin parlamentar dhe gjithë kolegët për dy komisione hetimore, për abuzimet në sistemin TIMS- dhe kontratat koncesionare në fushën e Shëndetësisë. Së dyti jemi të ndërgjegjshëm se nuk është në interesin e Ramës që të hetohen personat që kanë vjedhur të dhënat në sistemin TIMS.
Kryetari i grupit të PS-së u zotua publikisht se në rendin e ditës do të futet çështja e Reformës Zgjedhore, por nuk është futur. Mazhoranca do të mbajë të bllokuar komisionin e Reformës Zgjedhore. Të ndalosh opozitën që të mos caktojë përfaqësuesit e saj për Komisionin e Reformës zgjedhore kërkon ta hedhësh në erë. A të dhëna shqetësuese se grupe kriminale janë të përfshira në projektin e Portit të Durrësit. Po mendojmë ta çojmë ligjin korruptiv në kushtetuese. Duan të pastrojnë paratë e krimit”, nënvizoi Bardhi.