Shkarkimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta duket se nuk do të vonojë edhe shumë. Teksa të enjten do të ngrihet komisioni hetimor për të faktuar shkeljet e Metës dhe mazhoranca është shprehur e gatshme për shkarkimin e tij, fjalën e fundit duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese. Por edhe pse momentalisht kjo gjykatë nuk është funksionale, ajo nuk do të jetë pengesë që shkarkimi i Metës të ndodhë sa më parë.
Ndërkombëtarët janë vënë lëvizje që Gjykata Kushtetuese të ngrihet sa më shpejt, me qëllim që të bëjë ajo interpretimin se cila prej palëve ka të drejtë. Në mungesë të “gardianes” së Kushtetutës, Ilir Meta ka marrë disa vendime sipas dëshirës, por me qëllim që kjo situatë të marrë fund, faktori ndërkombëtar i ka dhënë ultimatum Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që të përshpejtohen ritmet me ringritjen e Kushtetueses.
Ditën e djeshme ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca i vajti në zyrë kryetarit të KED, Ardian Dvorani për të folur pikërisht për këtë çështje. Në një postim në rrjetet sociale, Soreca u shpreh se është shumë e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të jetë sa më parë funksionale.
“Sot takova kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, për t’u njohur me etapat përfundimtare të punës së Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Është thelbësore që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale në kohën më të shkurtër të mundshme”, deklaroi Soreca. Kjo do të thotë se ndërkombëtarët kërkojnë t’i jepet fund sa më parë situatës politike të krijuar në vend dhe interpretimin e Kushtetutës ta bëjë vetëm gjykata. Po ashtu, ngritja e shpejtë e Gjykatës Kushtetuese vulos shpejt edhe fatin e Ilir Metës, i cili është drejt shkarkimit.
Procedurat për shkarkimin e tij mund të zgjasin disa ditë sepse fillimisht duhet që të ngrihet komisioni hetimor, të konstatohen shkeljet e më pas Parlamenti të votojë për shkarkimin e tij. Por sipas të gjitha gjasave, derisa Parlamenti të mbyllë procedurat e veta, edhe Gjykata Kushtetuese do të jetë gati për të dhënë vendimin përfundimtar. Gjithashtu, fakti që po angazhohen ndërkombëtarët jep sinjal se dhe ata duan largimin e presidentit.
Në veting Regleta Panajoti
Me qëllim që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale sa më parë është angazhuar edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Paralelisht me kandidatët për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, KPK ka futur në veting edhe kandidatët për Kushtetuesen. Pak ditë më parë para trupës gjykuese dha llogari gjyqtari i Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri, që kandidon edhe për Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa dje KPK “skanoi” gjyqtaren e Tiranës, Regleta Panajoti, po ashtu kandidate. Sipas relatimit, Panajotit i mungonin 3.9 milionë lekë për të justifikuar investimet e bëra, ndërsa nga një prej denoncimeve u gjet se një vendim i një trupe gjykuese në të cilën ajo ishte pjesë për pjesëtim pasurie, kishte probleme. Panajoti kundërshtoi gjatë fjalës së saj qëndrimin e KPK mbi deklarimin e kursimeve cash në vite, duke thënë se nuk kishte pasur detyrim ligjor t’i deklaronte ato.
Ajo tha se kishte sjellë prova për të treguar punën e bashkëshortit në emigracion dhe këmbënguli që ato të ardhura të deklaroheshin të ligjshme. Momentalisht KED është në proces verifikimi të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese me qëllim që të bëjë renditjen e tyre. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Për secilin organ, KED duhet të dërgojë një listë me emrat e kandidatëve, të renditur nga më i miri tek më pak i miri.
Përzgjedhja duhet të bëhet mes 3 të renditurve të parët brenda një muaji. Në rast se kalohet ky afat, atëherë automatikisht anëtar zgjidhet emri që është renditur i pari në listën e KED. Pra, ka një mekanizëm zhbllokues dhe askush nuk e pengon dot ringritjen e Kushtetueses. /Mimoza Ibra