Projekti për të plotësuar Gjykatën e Lartë me 10 anëtarë dhe zhbllokuar Kushtetuesen, duket se po përfundon në kalendat greke. Që në pranverën e vitit që lamë pas, përfaqësues të KLGJ shpreheshin se në korrik Gjykata e Lartë do jetë me 10 anëtarë dhe kjo gjë do të sillte më pas plotësimin e Kushtetueses me 9 anëtarë. Jemi në fund të shtatorit dhe situata është në ngërç.
KLGJ e ka çuar në 9 numrin e anëtarëve, por më shumë se 9 muaj po mbahet peng emërimi i anëtarit të fundit nga jashtë sistemit. Që në dhjetor të vitit që shkoi u bë kualifikimi i Dariel Sinës, por emri i tij nuk përzgjidhet dhe po mbahet peng për shkak të disa proceseve gjyqësore që po zgjasin prej 9 muajsh.
Sipas ligjit, Gjykata e Lartë duhet të ketë së paku 10 anëtarë që të zgjedhë 3 emrat që i takojnë në Kushtetuese. Pra Kushtetuesja rrezikon të mos plotësohet për shkak të vetëm një anëtari në Gjykatën e Lartë. KLGJ do të mblidhte sot në seancë plenare, por sërish nuk do të ketë diskutime për këtë çështje.
Sinjalet ishin që në shtator do të bëhej emërimi, por duke qenë se as në këtë mbledhje nuk është parashikuar në rend dite, duket se plotësimi i Kushtetueses me 9 anëtarë ka përfunduar në kalendat greke. Për pasojë mungesa e 3 anëtarëve në këtë gjykatë, mund të sjellë dhe bllokimin e shkarkimit të Presidentit. Shanset të kemi një votim nul janë shumë të mëdha, pasi duhen 5 vota pro ose kundër shkarkimit dhe duke qenë se janë vetëm 7 anëtarë, atëherë mund të mos kapet kuorumi i nevojshëm.
Presioni amerikan
Teksa sinjalet janë se po punohet për të shtyrë sa më shumë ose për të bllokuar vendimin për shkarkimin e presidentit, ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje. Ambasadorja Yuri Kim pak ditë më parë shkoi në Gjykatën Kushtetuese, ku ja u ka bërë të qartë anëtarëve që të marrin vendim vetëm sipas ligjit dhe të ruajnë integritetin e tyre. Po ashtu ajo tha se shumë shpejt gjykata do ketë 9 anëtarë. “Teksa Gjykata Kushtetuese kthehet në seancë, unë shkova për të nderuar gjykatësit.
Kritike për Kushtetuesen që të vazhdojë të japë gjykime me integritet dhe pavarësi, në përputhje me betimin e tyre në detyrë. Ne jemi duke punuar me institucionet përkatëse kështu që Gjykata Kushtetuese do të ketë anëtarësim të plotë”, njoftoi ambasadorja në rrjetet sociale. Një ditë më pas në zyrën e kryetares Vitore Tusha shkoi ambasadorja e Francës.
“Gjatë takimit, Kryetarja Tusha vuri në dukje marrëdhëniet institucionale të bashkëpunimit me Këshillin Kushtetues Francez, si dhe me Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese Frankofone ku Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aderon si anëtare me të drejta të plota që prej vitit 2002.
Po ashtu, në vijim të interesit të shprehur nga znj. Ambasadore, u diskutua edhe rreth garancive që u ofrohen individëve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga Gjykata Kushtetuese, hierarkisë së normave ndërkombëtare dhe vendit që ato zënë në të drejtën e brendshme, mënyrave të shkëmbimit të informacionit mes gjykatave kushtetuese për çështje të caktuara gjyqësore, modaliteteve të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë vendimmarrëse të gjykatës, kritereve të përcaktimit të prioritetit të çështjeve që vijnë për shqyrtim në këtë gjykatë; si dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të dhëna nga Gjykata Kushtetuese”, njoftoi gjykata.