Në korridoret e Prokurorisë së Tiranës gjatë ditës së sotme qarkullonte lajmi se Shkëlzen Berisha do të shkonte të dëshmonte në prokurori në cilësinë e personit qe deklaron ne rrethana te dobishme. Siç edhe Report TVraportoi ekskluzivisht javën e shkuar Shkëlzen Berisha ka marrë një flet thirrje për të dëshmuar në lidhje me privatizimin e OSSH nga kompania CEZ.
Ajo që nuk dihej ishte dita e marrjes në pyetje. Supozohej që Shkëlzen Berisha të paraqitej mesditën e kësaj të enjte, por pas një dakortësie me prokurorët për të qëndruar larg syve të publikut dhe interesit të madh të medias, është rënë dakord që ai të dëshmonte në mbrëmje. Burime të mirë informuara i thanë Report TV se marrja në pyetje nga prokurori çështjes ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes.
Besohet se Shkëlzen Berisha ka mbërritur në prokurorinë e Tiranës rreth orës 18:00, jashtë orarit zyrtar. Pikërisht në këtë orar siç shikohen nga këto pamje filmike, Report TVka mundur të identifikojë zyrën e prokurorit Ardian Braho në katin e pestë të Prokurorisë me drita të ndezura. Fakt i cili sugjeron se diçka po ndodhte në atë zyrë, atë orë, kur të gjitha dritat e zyrave të tjera ishin të fikura. Por fshehtësia e plotë dhe misteri që rrethon marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës, shtohet edhe më shumë se kush e largoi me një makinë, nga Prokuroria pasi mbaroi rrëfimin e tij përpara prokurorëve.
Pamjet ekskluzive të Report TV kanë fiksuar këtë makinë tip BMW me xhama të errët, që hyn për pak minuta në prokurorinë e Tiranës dhe del menjëherë.
Nga verifikimi targës rezulton se kjo makinë është në pronësi të ish-deputetit demokrat Astrit Patozi. Por çfarë donte kjo makinë në Prokurorinë e Tiranës jashtë orarit zyrtar? Aq më tepër një makinë private me xhama të errët në rrethimin e brendshëm të Prokurorisë së Tiranës.
Një leje e tillë që makina me xhama të zi të futen në perimetrin e Prokurorisë jepet në ato raste kur ka për të dëshmuar ndonjë person i rëndësishëm. Me sa duket këtë status prokurorët ia kanë lejuar Shkëlzen Berishës. I kontaktuar me telefon nga Report TV zoti Patozi deklaroi se gjatë të gjithë ditës së sotme makinën nuk e ka lëvizur nga parkimi familjes. Ndërsa pamjet e Report TV tregojnë të kundërtën.
Në një kohë kur kreu i PD Lulzim Basha e la Patozin jashtë listës së kandidimit për deputet, deklarimet dhe retorika e tij kanë qenë pothuajse në të njëjtën gjatësi vale me ato të Sali Berishës. Pavarësisht faktit se në të shkuarën nuk kanë munguar përplasjet me Berishën pasi Patozi ishte rreshtuar në grupin e të ndjerit Sokol Olldashi. Asnjë burim nga Prokuroria deri më tani nuk i jep përgjigje pyetjes përse makina e Patozit hyri dhe doli nga institucioni i akuzës së Tiranës.
Privatizimi OSSH nga CEZ i kushtoi shtetit shqiptarë miliona Euro. Një komision parlamentar hetoi çështjen dhe ia dërgoi prokurorisë por kjo e fundit e mbylli ndërsa gjykata e Tiranës pak ditë më parë urdhëroi hapjen e çështjes përsëri duke i lënë detyra prokurorisë se kush duhet të merret në pyetje.
Lajmi për fletëthirrjen nga prokuroria vetë Shkëlzen Berisha e quajti të motivuar politikisht dhe tha se Edi Rama, kryegjykatesi dhe kryeprokurori i ri i Shqiperise, i dërgoi nje flluskë-thirrje publike.
(Automjeti i Patozit me të cilin Shkëlzen Berisha u largua fshehurazi nga Prokuroria)