Nga Ben Andoni
Nëse ministri i Jashtëm rus Lavrov nuk do të përmendte edhe Shqipërinë, si vend i cili ka përcjellë mercenarë në Ukrainë, atëherë shumë pak do të dëgjohej për vendin tonë në këtë teatër të frikshëm të absurdit putinian. Por ndërsa Lavrov u shpreh hidhësisht, Ambasada e vendit të tij në Tiranë e pyetur nga Exit dha një përgjigje të vagullt se: agjencia zyrtare TASS pretendon se CIA dhe MI-6 po paguanin mercenarët me 3000 dollarë në muaj për të “dalë vullnetarë”!! Reagimi i qeverisë Rama ishte i ashpër, kurse mjedisi publik shqiptar e priti me indiferencë dhe tallje.
Në Shqipëri ekziston një ligj, i cili të penalizon po ike të luftosh për kauzën e lirisë në një vend të huaj dhe askush nuk di të përgjigjet sot se: çfarë mund të ndodhi me fatin e ndonjë idealisti që ia shkrep andej?! Më thjesht, nuk dihet sesi mund të justifikohesh si një i tillë në këto kohë plot terr nga propaganda. Kuptohet se këtu e teprojmë. Shqiptarët e kanë harruar shërbimin ushtarak dhe misionin e tij, atë që për shumë vende, ashtu si edhe për vetë ne, ndihmoi në ngritjen e vlerave të kombit, pasurimin e cilësive të të rinjve dhe mbi të gjitha atdhedashurinë.
Mbase kjo ishte para viteve ’90 një eksperiment i drejtë, ndërsa tani shqiptarët kanë kohë që flenë të qetë! Mburren me NATO-n, ashtu si dikur me Traktatin e Varshavës. NATO me asistencën e vendeve fqinje të Shqipërisë kujdeset për sigurinë tonë ajrore dhe detare, kurse forcat amerikane shumë shpejt do të kenë në funksion një bazë në Shqipërinë e Mesme, mu në Kuçovë, atje ku gati më shumë se gjysmëshekulli më parë ishin forcat e harruara të Traktatit, kuptohet më së shumti pilotët dhe teknikët e ish BRSS-së.
Kohët ndryshojnë ashtu si sot ka ndryshuar sërish kahu i Shqipërisë drejt Aleancës, por jo në aspektin e forcimit por në një paqësi të përgjithshme që rrjedh nga anëtarësia jonë. E megjithatë, njësitë tona të trajnuara ushtarake , janë përfaqësuar në çdo vatër të nxehtë me dinjitet. Ushtarë profesionistë me vetëdije të lartë për detyrën kanë bërë diferencën dhe e tregojnë kudo këtë përgatitje. Janë krenaria jonë por më së shumi e zyrtarëve që nuk lenë vend pa e përmendur. Në fakt nuk thonë asgjë për pjesën tjetër të ushtrisë sonë. Rrogat qesharake, kushtet dhe infrastrukturën krejt të lënë pas dore.
Nuk është se situata është krejt ndryshe në Ballkan. Fqinjët shumë më veriorë, boshnjakët myslimanë janë krejt në anën e Ukrainës, paçka se nuk janë pjesë e NATO-s, si rezultat i veprimeve të ambasadorëve rusë në Sarajevë, të cilët mbështesin pa asnjë rezervë separatistët serbë në BiH. Çdokush e di se marrëveshjet direkte, nënshkruar mes kreut serb të Bosnjës Dodik me Putin nuk janë zbardhur ende kurse mëtimi se Republika kryeneçe do të shkëputet nga Federata duke krijuar sisteme alternative në vend (taksa, shëndetësi, ushtri), të bën të shqetësohesh. Rajoni ndjen një fllad lufte, që ka kohë që e prek në fakt Ballkanin, ku EUFOR-i, struktura që administron mbrojtjen e Federatës Boshnjake, po e dyfishon personelin e saj ushtarak.
Shteti i dytë shqiptar në rajon, Kosova, është zotuar për solidaritet të plotë me Kievin pasi i detyrohet shumë NATO-s, e cila e shpëtoi atë nga sulmi dhe gjenocidi i pamëshirshëm serb gjatë luftës Kosovë-Serbi. Paçka se Ukraina nuk ia lejon vullnetarët!!! I vetmi përjashtim janë serbët kosovarë të politikës, që me inspirimin e Beogradit e mbështesin Moskën por kjo ka pak rëndësi. E shumta, arritën që në ditët e fundit të ngriheshin në protesta për elementët e votimit, fakt që e bëri kryeministrin Kurti t’u drejtohesh në gjuhën e tyre për paqësi. U kujtoi me të drejtë se ndajnë përditmërinë bashkë.
Serbia ka pozicionin më ambuig në këtë kohë lufte, por që e ka mbrojtur me sensin se nuk i harron dot kurrë bombardimet e NATO-s, ashtu si nuk është dakord me invazionin ndaj Ukrainës! Në fund nuk vendos asnjë sanksion ndaj Rusisë, aleates së saj kryesore, që tashmë nuk e mbron dot për Kosovën. Serbia është vendi i rajonit, që veç ndihmës me armatime marrë nga Rusia, përmendim këtu avionë luftarakë rusë MiG-29, po prodhojnë armë dhe kanë bërë disa marrëveshje të ndryshme armësh, duke përfshirë tanke dhe sisteme raketash, si ajo e blerjes së sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 të prodhimit rus dhe gjashtë avionë të tjerë MiG-29 nga Bjellorusia, së bashku edhe me disa automjete ajrore pa pilot për qëllime ushtarake nga Kina. Serbia po mbështet gjithashtu edhe ngritjen e forcave të sigurisë të Republika Srpska. Dhe, në argumentin tonë: ajo që na shqetëson më shumë është se: ka nisur të mendojë shumë për ushtrinë e saj në baza të rekrutimit të rregullt. Që do të thotë rikthimin e plotë të shërbimit ushtarak.
Kjo e fundit është vendosur në platformën e tyre të Sigurisë Kombëtare, ku është shtuar edhe ideja sesi mund të mobilizojë rezervistët. Në ditët e fundit me qëndrimet e tyre ndaj NATO-s, por më shumë me referimet e ministrit Vulin kanë treguar se janë një fqinj që të ofron surpriza aspak të këndshme. I gjithë plani i tyre është llogaritur për strategjinë afatmesme të mbrojtjes për 2021-2023. Pas një hulumtimi të Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCSP), kryer në fund të vitit 2020, është llogaritur se tre të katërtat e popullatës ose 63% e tyre e mbështesin këtë hap, kurse rreth 20% vlerësojnë traditën, vetëm tetë për qind e të anketuarve përmendën kërcënimet e jashtme si arsye për rikthimin e tij.