Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një mesazhi audio nga qelia përshëndeti një ditë më parë Konventën zgjedhore te Partisë së Lirisë.
Në fjalën drejtuar mbështetësve Meta theksoi se asgjë nuk do e ndalë atë nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 11 majit, edhe pse ndodhet në qeli prej 3 muajsh, teksa po hetohet nga SPAK për veprat penale “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Zv.presidentja e PL, Erisa Xhixho konfirmoi në një intervistë për Euronews Albania se Meta do kandidojë për deputet të Tiranës në zgjedhjet e majit dhe sipas saj do të jetë më i votuari.
“Ai është drejtues i PL, nuk ka asnjë pengesë ligjore. E ka thënë prej kohësh që do jetë kandidat në Tiranë, ka drejtuar, deri para izolimit, gjithë drejtimin politik të Tiranës si një nga qarqet më të rëndësishme për PL edhe për numrin e mandateve që prodhon.
Padyshim, që do të jetë kandidat por edhe deputet pas 11 majit si deputeti më i votuar edhe pse në izolim ekstrem”, tha Xhixho.