Situata e krijuar në vendin tonë për shkak të pandemisë globale COVID-19 ka ndryshuar mënyrën e sjelljes të çdo qytetari dhe të gjitha institucioneve.
Që nga momenti që u shënuan rastet e para e deri më sot, qeveria ka dalë me një sërë masash, ku më kryesorja është shmangia e grumbullimeve në ambiente të mbyllura. Mes shumë institucioneve që iu ndërpre puna ishin edhe gjykatat, ku të pandehurit prisnin rifillimin e seancave për vendimin që do jepej.
Por edhe kur me vendim qeverie rifilluan seancat, u dha urdhër që ato të zhvilloheshin pa publik, pra pa praninë e familjarëve apo mediave. Në këto kushte, ditën e djeshme Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë përmes një shkrese i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të zbatohet neni 399 i KPRP, që ka të bëjë me seancat gjyqësore, të cilat në shumicën e rasteve zhvillohen pa të pranishmit.
Shoqata e Avokatëve Penalistë bën thirrje që në seanca të jenë prezentë të paktën familjarët, ndërsa kjo thirrje është përsëritur edhe nga avokati i njohur Saimir Vishaj. Shoqata e Avokatëve ka kërkuar që seancat gjyqësore të bëhen publike, ndryshe sipas tyre ato do të quhen të pavlefshme. Po ashtu, ata kërkojnë që nga seancat gjyqësore të përjashtohet pjesëmarrja e të miturve, apo personave të armatosur.
“Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë kërkon nga KLGJ dhe gjykatat për seancat gjyqësore (themelin) zbatimin e nenit 399 të KPRP, veçanërisht për familjarët e të pandehurve (prindërit, bashkëshorti/ja, bashkëjetuesja, fëmijët e të pandehurit,vëllai,motra).
Neni 339 KPRP: Seanca gjyqësore është publike, përndryshe quhet e pavlefshme; Nuk pranohen në seancë të miturit nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe ata që janë në gjendje dehje, intoksikimi ose çrregullimi mendor; Ndalohet prania në seancë e personave të armatosur, me përjashtim të pjesëtarëve të forcave të ruajtjes së rendit”, thuhet në kërkesën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor.