Zylfije Haklaj ka thyer heshtjen 16 vjeçare duke treguar historinë e vrasjeve në Tropojë dhe rolin e ish-presidentit Sali Berisha si personi kryesor që fshihet pas tyre.
Shota e Haklajve, duke folur për gazetarët e Shqiptarja.com, rikujton se si filloi konflikti mes dy familjeve Haklaj dhe Berisha, dhe pasojat që pati rrefuzimi i thirrjes së Berishës për trazira nga Fatmir Haklaj.
“Më datën 22 qershor 1997 pas mesit të natës në dalje të Milotit vriten nga bandat e Saliut, Sokol Haklaj jurist i cili punonte në Skrapar, dhe Ibrahim Rrustemaj, të cilët udhëtonin bashkë me Fatmirin në drejtim të Tropojës. Fatmiri merr dy djemtë e vdekur dhe niset në drejtim të Tropojës per tek Trageti, ku udhëtonte edhe Sali Berisha dhe forcat e tij të sigurisë për një miting në Tropojë datën e nesërme.
Fatmiri së bashku me të vdekurit në makinë nuk lejohen të udhëtojnë me traget. Lajmi në Tropojë kishte mbërritur për djemtë e vrarë, dhe familjarët shkojnë tek trageti që të marrin të vdekurit, dhe atje marrin lajmin që nuk janë lejuar të udhëtonin me traget. Ky qëndrim i ka irrituar familjarët tanë, ku pesha kryesore ka rënë mbi Sali Berishën.
Po është zhvilluar dhe hapja e mitingut nga Saliu fillon me fjalë fyese dhe përçarëse, në vend që të ngushëllonte familjarët e të vdekurve, për fatkeqësinë e ndodhur, natën gjatë rrugës për në shtëpitë e tyre. Nga Saliu në këtë miting ne quhemi horra dhe të lidhur me serbin. Por unë do t’i thoja Saliut se kush jemi ne ti e di, por kush je ti a e di? Saliu i njeh të gjithë dhe familjarët e tyre, por unë mendoj se duhet të njohë më mirë veten e tij dhe të afërmit e tij.
Ngjarja e Milotit ku vriten Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rrustemi natën e udhëtimit të eskortës së Saliut la shumë për të dëshiruar për këto vrasje. Kështu që familjarët të irrituar për vrasjet dhe për shtyrjen e varrimit të vdekurve, ku njerëzit ishin lajmëruar, udhëtojnë për tek mitingu për të dëgjuar dhe pse jo edhe për të thënë fjalën e tyre.
Kur Saliu i quan horra dhe të lidhur me serbin ata që përkrahnin kandidatin socialist, ka reaguar vëllai jonë Shkëlqimi, i irrituar për gjithçka që po ndodhte në sytë e tyre. Në këtë moment Salihi urdhëron uniformat e tij, që ta marrin me vete Shkëlqimin. Këtu lind pyetja, a janë të gjithë njerëzit të barabartë para ligjit?
Përse për Saliun lejohet të shajë dhe të shpifë e mashtrojë, kurse të tjerët nuk mund as të varrosen në kohën e caktuar dhe as të reagojnë për fjalët fyese e poshtëruese përpara publikut të dala nga goja e Presidentit të Republikës?
Salihu ka kohë që ka dalur nga vendlindja, por ai e di shumë mirë që dinjiteti dhe nderi është i rëndësishëm për njerëzit patriot të cilët munden edhe të mendojnë ndryshe sodomos në demokraci”, përfundon rrëfimin e saj Shota e Haklajve. /Tema