Kanë vijuar tensionet në diskursin politik në Malin e Zi. Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se helikopteri i MPB-së së Serbisë, i cili me patriarkun serb Porfirije ka hyrë në Mal të Zi më 3 gusht për të nënshkruar një marrëveshje, nuk ka kërkuar leje për të hyrë në këtë vend.
“Ju informojmë se me datën 3 gusht, si dhe pesë ditë pune para kësaj date, kjo Ministri nuk ka pranuar kërkesë për miratimin e fluturimit përmes hapësirës ajrore dhe uljen në territorin e Malit të Zi të helikopterit të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë nga Ambasada e Republikës së Serbisë në Podgoricë”, ka deklaruar sekretari shtetëror Ljubomir Mishuroviq.
Mediat në Malin e Zi, raportojnë mes të tjerash se helikopteri i MPB-së së Serbisë ka zbritur pa leje në terrenin stërvitor të kampit policor në Zllaticë. Madje, për një arsye të tillë, kreu i policisë kufitare, Vasko Akoviq, kishte dhënë dorëheqjen nga ajo detyrë.
Policia, nga ana tjetër, pretendon se delegacioni i Kishës Ortodokse Serbe, i udhëhequr nga Patriarku Porfirije, ka hyrë në Mal të Zi në përputhje me dispozitat e Ligjit për kontrollin kufitar. Sipas mediave në Mal të Zi, patriarku serb Porfirije ka hyrë në Mal të Zi pa u kontrolluar dhe pa u evidentuar. Këtë informacion e ka komentuar edhe kryetari i Komitetit Malazez të Helsinkit, Miodrag Vllahovic, i cili ka shprehur respektin e tij për Akovicin për atë vendim.
“Kreu rajonal i policisë kufitare, Vasko Akovic, ka dhënë sot dorëheqjen nga ajo pozitë për shkak se Patriarku i Kishës së Serbisë, Porfirije Peric, ka hyrë dhe ka dalë në Mal të Zi me të gjithë delegacionin pa asnjë kontroll dhe regjistrim. Respekt i madh për këtë njeri”, ka shkruar Vlahovic në Twitter.