Dy vëllezër shqiptarë, persona me precedentë penalë në Greqi, janë arrestuar si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv të diskotekës “Jacky.O” në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025. Në prangat e policisë greke ranë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy nga Tirana. Veç akuzës për shpërthimin me eksploziv, ndaj tyre ishte aktiv edhe një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje, si dhe shkelje të ligjeve mbi armët.
Në mënyrë më të detajuar, u zbulua se pasi parkoi një automjet pranë diskotekës, 32-vjeçari Besmir Buci iu afrua objektit në këmbë dhe më pas vendosi dhe aktivizoi pajisjen shpërthyese të improvizuar. Më pas, ai hipi përsëri në automjet, ku 41-vjeçari Blerim Buci po e priste, dhe u larguan së bashku. U konstatua gjithashtu se automjeti i përdorur nga autorët e aktit u ishte siguruar atyre nga bashkëpunëtori i tyre, një 44-vjeçar grek. Gjatë kontrolleve të kryera, u gjetën dhe u sekuestruan një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi me ekran, dy fletore me shënime, veshje të përdorura gjatë shpërthimit, si dhe automjeti i mësipërm i përdorur për kryerjen e aktit.
“Për bombën, më punësoi një çift që kishte hesape të vjetra, siç më thanë, me pronarin e dyqanit dhe më dhanë 5,000 euro që të shkoja ta vendosja.” Këto ishin të vetmet fjalë pranimi nga njëri prej dy burrave të arrestuar. Sipas hetimeve të policisë, bomba ishte një “mesazh paralajmërues”. Autorët kërkuan para për ofrimin e mbrojtjes së paligjshme, por refuzimi kategorik i pronarit për t’iu nënshtruar shantazhit çoi në hakmarrje. Gjatë operacionit, 41-vjeçari Blerim Buci u gjet në një zonë të izoluar në natyrë, ku ishte përpjekur të fshihej. Kur policia iu afrua dhe tentoi ta ndalonte, ai rezistoi fuqishëm, duke goditur me duar dhe këmbë, por efektivët arritën ta neutralizonin. Personat e arrestuar, të cilët janë akuzuar edhe më parë, ndër të tjera, për — sipas rastit — vjedhje, pahijshmëri, grabitje, mashtrim, dëmtim të rrezikshëm trupor, falsifikim, si dhe shkelje të ligjeve për drogën, u dërguan në autoritetin kompetent të ndjekjes penale.






