Zbardhen detaje të reja nga dosja nr. 2 që prokuroria e Tiranës është duke hetuar prej më shumë se një viti lidhur me shpëthimin e fuqishëm në depozitat e benzinës të karburantit “Gulf”. Pesë persona janë plagosur nga ky shpërthim i fuqishëm, emrat e të cilëve janë Nexhdet Lika, Leonard Lika, Miklovan Maksuti, Nezir Neziri dhe Adriatik Dula.
Të gjithë këta persona kanë qënë duke qëndruar në ambjentet e karburantit dhe kafenesë së këtij biznesi, kur papritur janë goditur nga shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në një nga depozitat e benzinës së këtij karburanti. Si pasojë, gjashtë të plagosurit kanë marrë dëmtime të lehta dhe të rënda kryesisht djegie dhe gërvishtje të shumta.
Ndërkohë nga ana tjetër prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për akuzën e “Shkatërimit të pronës”. Sipas relacionit të përpiluar nga oficeri i policisë Drilon Koldashi, ngjarja ka ndodhur në 25 shkurt 2017 në fshatin Lalm të Ndroqit, kur në ambjentet e depozitës së benzinës, ka patur një shpërthim të fuqishëm.
Në fakt ky shpërthim është provokuar gjatë mbushjes së kësaj depozite me benzinë, pasi siç duket dhe në disa foto që “Shqiptarja.com” i disponon, dallohet një autobot i kompanisë “Gulf” që mendohet se po shkarkonte benzinë.
Ndërkohë nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor i personave të dëmtuar thuhet se ata kanë marrë djegie në pjesë të ndryshme të trupit përfshirë këtu dhe të fytyrës. “Shqiptarja.com” disponon disa fotografi ku shihen dëmet e shkaktuara në pjesën e karburantit dhe pjesën e kafenesë.
Avujt e benzinës sollën shpërthimin
Prej më shumë se një viti hetimi është përqëndruar në marrjen e dëshmive të punonjësve të kësaj pike karburanti dhe administratorëve të kompanisë. Deklarime kanë dhënë dhe punonjësit e sigurisë së kompanisë “Gulf”, të cilët i kanë qëndruar versionin se raste të tilla shpërthimi ndodhin në depozitat e benzinës, për shkak të akumulimit të madh të gazrave që shkaktohen nga avujt.
Por për të marrë një përgjigje sa më teknike dhe shkencore, prokuroria e Tiranës ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi teknik, për të mësuar se çfarë ka ndodhur realisht në depozitat e benzinës së karburantit të “Gulf” në zonën e Kasharit. Eksperti i caktuar ka referuar në prokurori përgjigjet e ekspertimit, duke pohuar se shpërthimi i depozitës së benzinës ka ardhur si rezultat i tejmbushjes me avull, çka ka sjellë eksplozionin.
Ekspertimi i dytë për gjetjen e shkakut
Por prokuroria e Tiranës njëherësh ka kërkuar dhe një mendim të një eksperti të dytë, i cili ende nuk i ka referuar konkluzjonin përfundimtar, për sa i përket shkaqeve të këtij shpërthimi që çoi në plagosjen e pesë personave në Ndroq dhe që fatmirësisht situata nuk u përshkallëzua me dëmtime të tjera, veç atyre materiale.
Burime pranë prokurorisë së Tiranës i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se janë në pritje të konkluzjoneve të ekspertit të dytë, i cili është ngarkuar të nxjerë dhe dëmin e shkaktuar tre të plagosurve. Pas njohjes me përgjigjen e ekspertimit, burimet thonë se do marrin një vendim për këtë çështje nëse ngjarja do cilësohet si aksident teknologjik apo do të proceduhet me persona të pandehur.
Mirëpo tashmë kompania e naftës “Gulf” ka shpallur falimentin duke, ndalur të gjithë aktivitetin tregtar. Madje dhe punonjësit e kësaj firmë tashmë kanë mbetur mes katër rrugëve të papunë dhe të papaguar, por që nuk është çudi që ndonjëri prej tyre mund të vihet në ndjekje penale nga prokuroria e Tiranës, për ngjarjen e shpërthimit te depozitave të benzinës në pikën e karburantit në zonën e Kasharit. /Elton Qyno