Shpresa Bërdëllima u lind në Tiranë, më 11 prill të vitit 1959.
Ishte gjimnaziste te ‘Petro Nini’, kur kishte shkuar Ilia Terpini për të kërkuar personazhe për filmin ‘Guna përmbi tela’. Ishte vetëm 16 vjeçe, kur ishte përzgjedhur për këtë rol, megjithëse edhe më parë, qysh fëmijë, recitimi kishte qenë një nga gjërat e saj të pëlqyera. Ishte marrë vazhdimisht me aktivitete artistike në shkollë edhe për shkak të zërit, që e kishte pasur shumë të mirë.
Pas filmit të parë, Gëzim Erebara i kishte propozuar ta bënte rolin e spiunes te filmi ‘Vajza me kordele të kuqe’. Kishte qenë aq mirë i realizuar ky rol, sa siç tregonte aktorja, edhe në rrugë, pas transmetimit të filmit, fëmijët e qëllonin me gurë, sepse kujtonin se ishte vërtetë spiune”.
Roli i saj i fundit ka qenë në teatër: “Kush e vrau Kastijin”, me regji të Gëzim Kames. Edhe pse një aktore me të dhëna dhe e preferuar nga regjisorët, këta të fundit druheshin për t’i dhënë role të mëdha, sidomos pas martesës me artistin e cirkut, Arian Miluka, të cilin regjimi nuk e kishte pasur me “sy të mirë”.
Që në atë kohë nisi edhe distancimi dhe asaj do t’i besohej tek-tuk ndonjë rol episodik. Ndërrimi i sistemeve e gjeti 30 vjeç dhe ishte pikërisht atëherë, kur karriera e saj mund të shpërthente, bashkë me të shoqin vendosën të largohen nga Shqipëria.
Pas vitesh të vështira në emigracion, u vendosën në Belgjikë. Herë pas here ajo kthehej në Tiranë, me mallin për shtëpinë dhe vendin e saj, por nuk iu kthye më kurrë skenës dhe ekranit. Rolet e saj ndoshta nuk numërohen me dhjetëra, por ajo, për aq sa u aktivizua, mundi të lërë gjurmë në kinematografi.
U angazhua në teatrin e estradës së Tiranës dhe në kinematografi, duke filluar me rolin e zonjushës Gajtani te “Vajzat me kordele të kuqe”, (1978), “Përtej mureve të gurta” (1979), “Era e ngrohtë e thellësive” (1982), “Të shoh në sy” (1985), “Kur ndahesh nga shokët” (1986), “Kur hapen dyert e jetës” (1986), “Një vit i gjatë” (1987), “Hetimi Vazhdon” (1987), “Shpresa” (1988), “Flutura në gabinen time” (1988) dhe “Mirela” (1990).
Aktorja Shpresa Bërdëllima u nda nga jeta në vitin 2019, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 60-vjeçare, larg vendit të saj, në Belgjikë, vendin që e mirëpriti për vite me radhë.
Shpresa Bërdëllima mbetet një nga emrat e aktoreve tona më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë ose aktorja meteor që shëndrit shumë për një kohë të shkurtër dhe u shua shpejt duke u larguar nga arti dhe familja./ KultPlus.com