Shqipëria barazoi 0-0 në miqësoren e zhvilluar në “Air Albania”, në një ndeshje që u duk e lehtë në letër, pro në fushë nuk rezultoi e tillë. Pavarësisht rezultatit, kombëtarja ka gjetur një yll të ri në mesfushë. Kristjan Asllani, 20 vjeçari që luan me Empolin në Itali tregoi sot se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë në këmbët e tij. I qetë, pozicional, i saktë në pasime dhe vertikalizime, Asllani meritoi duartrokitjet e të gjithëve
Notat e ndeshjes:
Strakosha – 6 Mund edhe të ishte pa notë, pasi pothuajse në të gjithë ndeshjen ka qenë një spektator, së bashku me tifozët në stadium. Vetëm një gjuajtje në portën e tij në pjesën e dytë, të cilës iu përgjigj mjaft mirë. Pjesa tjetër, vetëm vrapime në zonë për të mos humbur nxehtësinë e trupit.
Gjimshiti – 7 Nëse çahet diga e Fierzës, mund ta zëvendësojmë me Berat Gjimshitin. Mbrojtësi tregoi edhe njëherë tjetër nivelin e tij të lartë. I pakalueshëm në ajër dhe në tokë, por edhe një organizues i mirë i lojës në prapavijë. I qetë, i saktë dhe mbi të gjitha, LIDER.
Kumbulla – 6 Mbrojtja jonë nuk pati shumë punë, për shkak edhe të nivelit jo të lart të kundërshtarëve, por Kumbulla është gjithmonë gati kur thirret në apel. Në duel një kundër një nuk e kalon asnjë, njësoj si në lojën në ajër.
Ismajli – 6 Së bashku me 2 partnerët e tjerë të mbrojtjes japin garanci në paravijën e kombëtares. Ka saktësi dhe qetësi, por kjo nuk është ndeshja kur mund të vlerësohet sa duhet.
Hysaj – 4.5 Elseid, na kthe Hysajn e parë! Paraqitje e dobët e kapitenit tonë, që e ka të vështirë të marrë krahun dhe të krosojë në zonë. Nuk dihet çfarë ka ndodhur me mbrojtësin e Napolit, por paraqitjet e fundit me kombëtaren kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Ramadani – 5.5 Detyra e tij është të shkatërrojë aksionet e kundërshtarit, por kjo detyrë iu vështirësua edhe më shumë sot, për shkak se Gjeorgjia rrallë e qarkulloi topin në gjysmëfushën tonë. Përpiqet, por në krahasim me shokët e repartit, është pika e dobët e mesfushës për sot.
Asllani – 9 Na falni nëse e teprojmë, por ndeshja e sotme e Kristjan Asllanit na kujton Andrea Pirlon. I saktë në pasime dhe vertikalizime, i qetë, godet portën dhe dikton ritmin e lojës. Na mungonte një lojtar i tillë, i cili me topin në këmbë është një siguri më shumë për kombëtaren. Shpresojmë që në Europianin e ardhshëm të jemi edhe ne pjesë e tij, me Asllanin si një nga yjet më të mëdhenj. Ndoshta do të donit ta vlerësonim me 10, por nota maksimale ëhstë vetëm për profesorët.
Çekiçi – 6.5 Teknikisht është shumë i mirë, por duhet të tregohet më i shpejt kur ka topin në këmbë. Një veprim mjaft i bukur pjesën e parë në zonën kundërshtare, që me një goditje më të mirë, mund të kishte ngritur në këmbë tifozërinë. Do i duhet kombëtares talenti i tij, për të sulmuar zonat e ngushta.
Roshi – 6 I pakapshëm me topin në këmbë kur dëshiron të marrë krahun. ODise-ja i kombëtares tonë tashmë ëhstë një “veteran”, për shkak të ndeshjeve të shumta që ka luajtur, por gjithmonë tregon se kur futet në fushë, mbetet i rrezikshëm për çdo kundërshtar.
Manaj – 4.5 Pika më e dobët e kombëtares në ndeshjen e sotme. Ka dëshirë dhe grintë, por “kolosët” gjeorgjianë nuk e lënë të marrë frymë. Përpiqet shumë, por duket se i mungojnë minutat, pasi edhe me Spezian nuk është një titullar fiks
Broja -5.5 Nuk ishte dita e sulmuesit që premton shumë për kombëtaren. Arriti të shkëputej pak herë, por larg zonës kundërshtare. I pashërbyer nga shokët, por edhe i markuar mjaft mirë nga kundërshtari, që kohët e fundit ka dëgjuar të flitet shumë për të në të gjitha mediat e huaja.
Cikalleshi – 6 Grintë, pasion, përulësi dhe nuhatje. Është një sulmues që nuk duhet t’i mungojë organikës së kombëtares, pasi sulmon shumë zonën dhe është një lojtar që e mban mirë topin.
Laçi – 5 Nuk arriti të futej në ritmin e lojës. Disa vertikalizime të gabuara dhe mbajtje topit e tepërt, në një ndeshje ku qarkullimi duhet të ishte shumë i shpejt.
Gjasula – 6 Pas Cikalleshit, zëvendësimi tjetër që arriti të futej në shinat e ndeshjes. Roli që ka në fushë bën që aftësitë e tij të mos tregohen në ndeshje si kjo, por është një nga armët tona më të forta në mesfushë, që do na shërbejë në ndeshjet e ardhshme.
Lenjani – Pa notë Pak minuta për anësorin, në të cilat nuk la shumë shenjë
Vrioni – 5.5 Sapo futet bën një lëvizje “alla” Inzaghi dhe i del kudnërshtarit prapa shpine, por nuk arrin të finalizojë. Do të jetë një alternativë mjaft e mirë për të ardhmen, por me Brojën, Uzunin dhe Cikalleshin, lufta për një fanellë titullari do të jetë shumë e ashpër.
Tifozët Kuq e Zi – 10 me YLL Nëse Shqipëria do të përfshihej në luftë, ata do të ishin të parët që do të merrnin armët. Të pranishëm në çdo stadium në mbështetje të kombëtares, një vlerë e shtuar e KOMBIT dhe KOMBËTARES.