Shqipëria ka fituar përballjen në Arbitrazh ndaj Francesco Becchetit, lidhur me Hidrocentralin e Kalivaçit. Në një njoftim të ministrisë bëhet me dije se Shqipëria ka fituar betejën me shoqërinë Hydro S.R.L, e cila është në pronësi të Becchetit, ku tashmë ky i fundit do të duhet t’i paguajë shtetit shqiptar dëmin e shkaktuar. Beccheti paditi shtetin shqiptar në tetor të vitit 2014 në Arbitrazhin Ndërkombëtar, duke kërkuar zgjidhje të marrëveshjes së koncesionit mes palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, ndërsa Shqipëria iu përgjigj me kundërpadi për procesin, duke sqaruar se paditësi, në këtë rast Beccheti, ka qenë në shkelje dhe mospërputhje të kontratës së koncesionit dhe ka shkaktuar një dëm prej 158 milionë euro. Ndërkohë, krahas kësaj pagese, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën 12 milionë euro, si dhe të kostove ligjore e të procesit të arbitrazhit. (G.ne/Shqiptarja.com)