Sali Berisha shpalli pak ditë më para koalicionin zgjedhor “Shqipëria Madhështore”.
Nga një vëzhgim i Report TV, përveç Partisë së Lirisë, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 mori 6.8% të votave (sot nuk merr dot as 1% të votave, sipas sondazheve), asnjërës prej vargut me 24 parti të tjera nuk i dihet pesha elektorale.
13 prej tyre ishin në koalicion me PD-në para 4 viteve dhe askush s’e di se sa vota politike ka secili.
Në një kohë kur një pjesë e rëndësishme e komunikimit politik është thuajse transferuar online, një njësi matëse për popullaritetin e një politikani është edhe pëlqyeshmëria në platformat e rrjeteve sociale. Për këtë arsye, mund të bëjmë një vlerësim të ndjekshmërisë në Facebook të aleatëve të Sali Berishës.
Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë absolutisht fare komunikim me ata që i quajnë elektorati i tyre, si kryetari i Partisë Personat me Aftësi të Kufizuar Gjovalin Shqalshi i cili nuk ekziston në Facebook me faqe politike por vetëm me adresë shokësh.
Ndërsa shumë prej tyre numrat i kanë qesharakë. Për shembull kryetari i Partisë Ora e Shqipërisë, Zef Shtjefni, ka vetëm 199 ndjekës, ndërsa e ndjekin jo me shumë distancë 2 të famshmit e parlamentit të ‘korporatës’, Selami Jenishehri i pensionistëve me 379 ndjekës dhe “kaçurreli” Kostaq Papa i Partisë Emigracioni Shqiptar me 400 ndjekës.
Pas tyre vijnë edhe 6 parti të tjera, me kryetarët e të cilëve nuk i kalojnë 1000 mbështetës në Facebook, Mhill Gecaj (LDK) – 650 ndjekës, Ylber Valteri (PBDSH) – 651 ndjekës, Muharem Doda (PRV) – 788 ndjekës, Dhimitër Muslia (PKD) – 898 ndjekës, Rivelino Çuno (PEISH) – 975 ndjekës dhe ish deputeti Adriatik Alimadhi (PBK) – 1,000 ndjekës.
Pak mbi një mijë është Vasil Sterjovski i partisë së komunitetit maqedonas në Pustec me vetëm 1100 ndjekës, ndërsa pas tij ish deputeti i famshëm Kujtim Gjuzi me vetëm 1 200 ndjekës.
Me vetëm 2800 persona që e ndjekin në rrjetet sociale është edhe Vangjel Dule i PBDNJ-së së komunitetit grek, edhe pse deputet prej shumë legjislaturash dhe që pretendon se ka mbështetje të konsiderueshme.
Me një numër më të madh ndjekësish, por gjithsesi shumë modeste vijojnë Gjet Ndoj i PAAK – 3,500 ndjekës, Shpëtim Axhani (PLL) – 2,400 ndjekës, Nikolin Staka (LDN) – 4,600 ndjekës, Sazan Guri (PAEE) – 4,900 ndjekës dhe në fund Arian Starova (BLD) e Artur Roshi (PBKD) me nga 6,400 ndjekës.
Me një ndjekje të konsiderueshme mund të quhet vetëm Sali Shehu i Frymës së Re Demokratike me 23,000 ndjekës, por që partia e të cilit nuk shqyhet për ndonjë elektorat të rëndësishëm. Dyshimet janë që ndjekësit nuk janë realë.
Duhet nënvizuar gjithashtu që jo vetëm ndjekësit i kanë “në varfëri” ekstreme por edhe postimet i kanë shumë të rralla, përgjithësisht shëprndarje të ndonjë aktiviteti pa mesazh thelbësor.
Pra, nga një vrojtim i thjeshtë në Facebook i kryetarëve të 20 partive aleate të PD në këto zgjedhje shkon nën 62 000 pëlqime në Facebook, përveç politikanëve që kanë një peshë relative si Ilir Meta, Agron Duka, Fatmir Mediu, Nard Ndoka apo Shpëtim Idrizi.
Pra 20 parti me një grusht njerëzish se si mund t’i bëjnë 25% të elektoratit shqiptare, e paprovuar në zgjedhjet e mëparshme, vetëm Belind Këlliçi mund ta shpjegojë deklaratën e tij.
PËLQIMET NË FACEBOOK TË 20 ALEATËVE TË BERISHËS
Sali Shehu (FRD) – 23,000 ndjekës
Arian Starova (BLD) – 6,400 ndjekës
Artur Roshi (PBKD) – 6,400 ndjekës
Sazan Guri (PAEE) – 4,900 ndjekës
Nikolin Staka (PLDN) – 4,600 ndjekës
Gjet Ndoj (PAAK) – 3,500 ndjekës
Vangjel Dule (PBDNJ) – 2,800 ndjekës
Shpëtim Axhami (PLL) – 2,400 ndjekës
Kujtim Gjuzi (PKKA) – 1,200 ndjekës
Vasil Sterjovski (PAMIE) – 1100 ndjekës
Adriatik Alimadhi (PBK) – 1,000 ndjekës
Rivelino Çuno (PEISH) – 975 ndjekës
Dhimitër Muslia (PKD) – 898 ndjekës
Muharem Doda (PRV) – 788 ndjekës
Ylber Valteri (PBDSH) – 651 ndjekës partia
Mhill Gecaj (LDK) – 650 ndjekës
Kostaq Papa (PES) – 400 ndjekës
Selami Jenishehri (PBPP) – 379 ndjekës
Zef Shtjefni (POSH) – 199 ndjekës
Gjovalin Shqalshi (PPAA) – S’ka Facebook