Shqipëria është pajisur me sistemet Javelin. Lajmin e jep ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili thotë se ato janë siguruar falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se Javelin-at do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, rrisin parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
“Ta bëjmë të qartë edhe për njerëzit që na ndjekin dhe për publikun e gjerë. Jemi në një nga vendbazimet e forcës së Armatosur, forcës tokësore, nuk kemi nevojë të japim detaje se ku ekzaktësisht, por sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë i sistemit të lëshimit Javelin. Edhe Shqipëria edhe Kosova janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-të. Sikundër edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme është e rëndësishme për tre arsye.
E para sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave dhe më në fund po realizohet, e dyta sepse bashkëpunimi me SHBA-të mbetet në themel të forcimit të kapaciteteve tona dhe të rritjes së aftësive mbrojtëse. Pika e tretë e rëndësishme ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë të luftimit me të gjitha sistemet, pajisjet teknologjike të përditësuara, ndaj ka këtë domethënie të trefishtë”, tha Vengu.
Ai u shpreh se kjo është vetëm dërgesa e parë e njësive të lëshimit dhe raketave përkatëse dhe se në vitin tjetër pritet dërgesa e dytë.
“Pajisjet dhe sistemet vijnë të përforcojnë edhe misionet e trupave tona qoftë në misione të NATO-s, qoftë në misione të BE-së. Ka një dobishmëri të dyfishtë”, tha Vengu.
Sistemet Javelin janë sisteme të avancuara raketore kundërtanke, të bartshme nga një person, me funksionim “zjarr dhe harro” (fire-and-forget), të përdorura nga këmbësoria për të shkatërruar mjete të blinduara, bunkerë dhe objektiva të tjera.
Ato janë të njohura për drejtimin me rreze infra të kuqe, aftësinë e sulmit nga lart (duke goditur pjesën më të dobët të blindimit të tankeve) dhe për mundësinë e përdorimit ditë e natë, duke i ofruar operatorit nivel të lartë mbijetese.
Sistemi është zhvilluar nga Raytheon dhe Lockheed Martin dhe përbëhet nga Njësia e Komandimit dhe Lëshimit (CLU) për identifikimin dhe shënjestrimin e objektivit, si dhe nga raketa vetë. Kjo u lejon ushtarëve të qëllojnë dhe të marrin menjëherë mbulim, pa pasur nevojë të qëndrojnë të ekspozuar pas lëshimit.






