Këshilli Europian pritet që të marrë vendimin në datat 26-27 mars, sa i takon procesit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapja e negociatave është një temë që ka shkaktuar shumë debate në sferën politike prej vitesh. Këtë vit u duk se vendi ynë ishte shumë pranë hapjes së negociatave. Një nga arsyet e artikuluara se pse u pengua hapja e negociatave për Shqipërinë, ishte edhe mosfunksionimi i brendshëm i vetë Bashkimit Europian.
Sakaq theksojmë se që nga momenti i marrjen së vendimit për të shtyrë datën e hapjes së negociatave, Shqipëria ka bërë hapa para. Reformat kanë qenë një nga kushtet e vendeve të BE për të hapur procesin e hapjes së negociatave. Shqipëria ka ecur para me reformën në drejtësi, është ngritur SPAK dhe para marsit pritet që të ngrihet edhe Byroja e Hetimit. Me këto përparime gjasat janë që Shqipëria të hapë negociatat me BE. Zërat kundër janë ato nga radhët e opozitës, të cilët shprehen se vendi është në një krizë të thellë politike, si pasojë e djegies së mandatave që bënë këta të fundit. Por ky argument u hodh poshtë nga vendet e BE, pasi ata në asnjë ligjërim publik nuk përmendën djegien e mandatave si faktor i një krize politike në vend. Reforma zgjedhore po ashtu ka qenë kryefjalë e vendeve të BE, teksa kanë nënvizuar se bashkëpunimi politik në këtë rast është tejet i rëndësishëm. Si rrjedhojë kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje disa herë kryedemokratit Basha që të ulen në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore dhe për të hapur rrugën drejt integrimit europian, por ky proces është penguar nga opozita.
Në mars vendimi për Shqipërinë
Në mars të këtij viti, liderët e Unionit do të diskutojnë nëse do t’i japin dritën jeshile vendit tonë ose do të kërkojnë që prioriteti i tyre të jetë metodologjia e re e zgjerimit e kërkuar nga Franca. Andaj eurokomisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi ka ndërmarrë një sërë takimesh me përfaqësuesit kritik të Unionit përsa i përket zgjerimit. Një nga vendet më skeptike sa i takon hapjes së negociatave me Shqipërinë, ka qenë Franca. Kujtojmë se ndaj kryeministrit francez Emanuel Makron u hodhën një sërë sulmesh, pasi u cilësua si penguesi i këtij procesi. Po ashtu edhe vendet e tjera të BE i bënë thirrje Francës që të bënte kujdes pasi pengesa e vënë ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund t’i hapte hapësirë vendeve të tjera për ndikim në Ballkan. Sakaq eurokomisioneri ka diskutuar më nga afër me kryeministrin francez dhe me ministrin e Jashtëm holandez për metodologjinë e re të zgjerimit dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Vendet skeptike
Pas këtyre takimeve, një nga vendet skeptike për Tiranën zyrtare, Holanda, i ka kërkuar institucioneve shqiptareve rezultate konkrete për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi ditën e premte që tani është radha e Unionit që të mbajë përgjegjësinë e saj përballë Ballkanit Perëndimor. Sipas saj nuk duhet të ndryshojnë rregullat, por metodologjia e re dhe negociatat për Tiranën dhe Shkupin duhet të ecin paralelisht. Sakaq nga ana tjetër një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë, në fund të 2019 ishte Bundestagu gjerman. Ai i kërkoi vendit tonë që të përfundojë me reformën zgjedhore dhe të bëjë funksionale Gjykatën Kushtetuese funksionale para konferencës ndërqeveritare. Pas takimit të Këshillit, ku Shqipëria pret një përgjigje pozitive, në muajin maj në Zagreb, BE do të ketë përballë liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.