Në një klasifikim të 153 shteteve të botës sipas kontributit të gjithsecilit në zhvillimin dhe të mirën e njerëzimit, Shqipëria renditet e 70-ta, nga vendi i 69-të i një viti më parë.
Shqipëria është vendi i parafundit në Europë, çka do të thotë se, është shteti europian më “i padobishëm” pas Ukrainës, dhe se ka kontributin më të vogël në zhvillimin e njerëzimit.
Indeksi i “vendeve të mira” përpilohet mbi bazën e kritereve si: Shkenca dhe teknologjia, kultura, paqja, rendi botëror, klima, barazia, shëndeti dhe mirëqenia.
Ndër to, padiskutim që ajo që i referohet shëndetit dhe prosperitetit është një njollë e zezë, pasi na rendit në vendin e 142-të në botë, ndër 153 shtete, madje edhe më keq se vende mjaft të pazhvilluara të Afrikës, Amerikës Latine apo edhe Azisë Jug-lindore.
Kjo performancë e dobët vjen si rrjedhojë e nën-indikatorit që i referohet ndihmës humanitare dhe donacioneve.
Një tjetër indikator që na rendit ndër vendet e fundit në botë është ai që i referohet shkencës dhe teknologjisë. Në këtë drejtim, Shqipëria është e 119-ta në botë, në rënie të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.
Indikatorët që kanë një vlerësim pozitiv ndërkohë janë ata që i referohen prosperitetit dhe barazisë si dhe ai i kulturës. Pra, në drejtim të kulturës, Shqipëria renditet e 54-ta në botë,
Të paktën në këtë drejtim vlerësohet si një shtet që i jep diçka njerëzimit, madje edhe më shumë se Rusia, Turqia, Kina etj, raporton SCAN.
Në nivel global, kurorën e shtetit më të mirë e merr Finlanda, që ndiqet nga Irlanda dhe Suedia, ndërkohë që në vend të fundit renditet Iraku me Libinë dhe Jemenin.