Gazeta më e madhe në Spanjë ‘El Pais’, i ka kushtuar një artikull të gjatë trafikut të drogës në këtë vend.
Sigurisht që nuk kishin si të mungonin shqiptarët, të cilët janë vënë në vëmendjen e gazetarëve, sidomos pas kapjes së 1.2 ton kokainë e 1.5 milionë euro, dy kokave shqiptare të trafikut nga Kolumbia.
Në këtë aksion u arrestuan 5 persona, ndërsa grupi drejtohej nga dy shqiptarë, Arjan Ndoci dhe Julian Deblini.
Sipas mediave spanjolle, shumica e kokainës hyn në Spanjë e fshehur në kontejnerë përmes pesë porteve, me qytetin e Cádizit në krye. Porti i qytetit të Cadiz, ndiqet nga ata të Valencias, Barcelonës, Bilbaos dhe Vigos.
Kokaina në Kolumbi blihet me çmimin që varion nga 1,260 deri në 1,680 euro me cilësi 85%, ndërsa pas trafikut në Europë shitet shumëfish më shtrenjtë.
Grupet kriminale lindore kanë fituar terren kundër klaneve spanjolle përsa i përket futjes së drogës nga portet e tyre.
Sipas raporteve të policisë spanjolle, trafiku sot është në duar të shqiptarëve, polakëve, bullgarëve apo marokenëve që kanë vendosur pjesë të strukturës së tyre në Spanjë.