Nga Av. Edmond Petraj
Shqiptarët, pas dekadash nën diktaturë, e pritën me shpresë demokracinë, por më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit, realiteti tregon se ende nuk dinë të jetojnë vërtet në një sistem demokratik. Demokracia shqiptare është kthyer në një farsë të mbushur me korrupsion, klientelizëm dhe paaftësi për të ndërtuar institucione funksionale.
Trashëgimia e së kaluarës një nga arsyet kryesore pse shqiptarët e kanë kaq të vështirë të jetojnë në demokraci është trashëgimia e rëndë e komunizmit. Mbi katër dekada nën një regjim totalitar lanë pasoja të thella në mentalitetin shoqëror: servilizëm ndaj pushtetit, mungesë besimi te institucionet, dhe prirja për t’iu nënshtruar autoritetit në vend që ta sfidojnë atë. Shumë shqiptarë nuk e konceptojnë demokracinë si një sistem ku liria kërkon përgjegjësi dhe angazhim qytetar.
Për shumicën e shqiptarëve, demokracia ka mbetur një koncept i mjegullt, shpesh i reduktuar në të drejtën për të votuar një herë në katër vjet. Liria është keqinterpretuar si kaos, ku secili bën çfarë të dojë, pa respektuar rregullat dhe institucionet. Për pasojë, demokracia shqiptare është shndërruar në një anarki të kontrolluar nga oligarkë dhe politikanë që përdorin sistemin për interesa personale.
Në një vend demokratik, institucionet duhet të jenë më të forta se individët, por në Shqipëri ndodh e kundërta. Çdo qeveri e re fshin gjithçka të mëparshme, i shemb institucionet dhe i mbush me njerëz militantë e të paaftë. Drejtësia është e politizuar, disa portale janë apo është e kapur, ndërsa qytetarët ndihen të pafuqishëm përballë abuzimit të pushtetit.
Një tjetër problem madhor është mungesa e një kulture demokratike. Në Shqipëri, qytetarët janë të ndarë në tifozeri politike dhe nuk diskutojnë mbi ide, por mbi individë. Kjo ka krijuar një situatë ku politika nuk është më një betejë idesh, por një luftë për mbijetesë mes klaneve. Shumë shqiptarë ende e shohin pushtetin si një mjet për pasurim personal, jo si një shërbim ndaj publikut.
Si mund të ndryshojë kjo situatë?
Për të mësuar të jetojmë në demokraci, shqiptarët duhet të kuptojnë mire..
Të rrisin ndërgjegjësimin qytetar, duke kuptuar se demokracia nuk është vetëm votë, por edhe përgjegjësi e përditshme për të mbajtur pushtetin nën kontroll.
Të ndalojnë glorifikimin e liderëve dhe të kërkojnë institucione të forta, jo individë të fortë.
Të refuzojnë korrupsionin në çdo formë, duke mos u bërë pjesë e sistemit të patronazhistëve dhe favoreve politike.
Të nxisin një kulturë debati mbi ide dhe politika, jo mbi individë dhe klane.
Shqiptarët do të mësojnë të jetojnë në demokraci vetëm kur të kuptojnë se ajo nuk është një dhuratë, por një betejë e përditshme për ta mbrojtur dhe për ta përmirësuar.
Pa këtë vetëdije, Shqipëria do të mbetet një pseudo-demokraci, ku pushteti do të vazhdojë të jetë një pronë private e një grushti njerëzish.