Një shqiptar bashkë me disa suedezë të tjerë, janë kthyer në heronj në vendin nordik, pasi pavarësisht flakëve, u futën brenda një banese që po digjej dhe i shpëtuan jetën një fqinji.
Sipas mediave suedeze, flakët që përfshinë banesën në Alby ishin shumë të mëdha dhe nëse fqinjët nuk do të ndërhynin me shpejtësi, zjarri mund të shkaktonte edhe viktima.
Shqiptari nga Tepelena, Kelman Qibini, ishte futur i pari për të shpëtuar fqinjin.
“Dëgjova nga jashtë që ai po bërtiste dhe hyra brenda flakëve. Nëse nuk do të ndërhyja dhe personi do të kishte vdekur, do ishte shumë e vështirë të jetoja me këtë mendim”, tha ai për mediat suedeze.
Ai ka vetëm 3 muaj që është transferuar në Suedi bashkë me bashkëshorten e tij Matilda.
“Hyra brenda por dera ishte e bllokuar. Në ndihmë më erdhën tre fqinjë të tjerë e arritëm ta nxirrnim personin e bllokuar”, rrëfeu Kelmani.
Burri që jetonte në shtëpi pësoi djegie të rënda, sipas zjarrfikësve, por edhe shtatë nga tetë fqinjët që nxituan ta ndihmojnë për ta nxjerrë nga banesa duhej të shkonin në spital për shkak të thithjes së tymit.
“Ka qenë e vështirë të flemë sonte. Jam akoma i mërzitur nga ajo që ndodhi. Unë ndoshta kam bërë atë që shumica e njerëzve do të kishin bërë në këtë situatë. Dhe ne ishim shumë fqinj që i ndihmuam”, u shpreh shqiptari.