Presidenti Ilir Meta duket se është në hall të madh kohët e fundit. Reforma zgjedhore e ka bërë me dhimbje koke, pasi heqja e koalicioneve mund t’i japë goditje të fortë LSI-së.
Por duket se dhe planet e tjera nuk po i ecin si duhet. Meta bëri luftë të fortë për të larguar Dvoranin nga KED dhe në vend të tij të emërohej Vitore Tusha. Por kjo e fundit duket se e ka lënë në baltë, pasi po vepron në zbatim të afateve dhe procedurave të përcaktuara nga ligji. Presidenti po kërkon me çdo kusht që 3 emrat që do të fusë në Kushtetuese të jenë besnikët e tij.
Për Marsida Xhaferllarin u bë një luftë shumë e fortë dhe Meta e fitoi betejën. Tashmë ka në dorë dhe dy vakanca të tjera. Për një vakancë KED ja eliminoi të gjithë kandidatët dhe presidenti rihapi garën. Por beteja më madhe bëhet për vakancën e datës 22.11.2019, pasi aty ka emra që Meta kërkon të futen në Kushtetuese.
KED e ndau listën në dy pjesë, duke vijuar me verifikimin e 4 emrave fillimisht, ndërsa të tjerët u lanë për më pas. Gazeta mësoi nga KED se procesi për 6 emrat e tjerë puna ka ngecur për shkak se nuk kanë ardhur dokumentet e kërkuara nga institucionet. KED bën një proces verifikimi shumë të thellë për të gjithë kandidatë, duke kërkuar informacione në institucione shtetërore e private (kryesisht banka).
Por disa institucione nuk kanë kthyer përgjigje dhe kjo ka bërë që të ngecë verifikimi i tyre. Ndërkohë mësohet se Presidenti është vënë në dijeni nga KED për këto probleme dhe ai u ka dërguar shkresa disa institucioneve duke ushtruar presion që të dërgojnë materialet e kërkuara. Pra duket qartë se plani i presidentit nuk po funksionon, pasi emrat në listë mund dhe të mbeten jashtë. Në dhjetor KED ripërtërihet dhe nuk i dihet se çfarë mund të vijë.
Ligji për presidentin
Kushtetuesja nuk është halli i vetëm i kreut të shtetit, pasi ligji për izolimin e tij është në hapat e fundit. Gazeta ka mësuar se grupi i punës i ngritur pak ditë më parë po punon intensivisht dhe ka nisur kontaktet me grupet e interesit, përfshirë dhe Presidencën, për të diskutuar mbi draftin.
Sipas informacioneve, korniza se si do të jetë ligji është bërë gati, ndërsa po ashtu nenet kryesore janë drejt fundi. Plani është që në 15 tetor drafti të jetë gati dhe më pas të nisë shqyrtimi në komisione. Sipas informacioneve, ligji ka hyrë në rrugën përfundimtare dhe tashmë PS e ka ndarë mendjen se si do të izolohet presidenti.
Fokusi kryesor i ligjit do të jetë te harmonizimi i kompetencave të presidentit dhe qartësimi i disa neneve që ka Kushtetuta. Me ligjin e ri, presidenti nuk do mund të refuzojë më dekretimin e ministrave, nuk do shtyjë dot datën e zgjedhjeve si dhe nuk do bllokojë dot betimin e gjyqtarëve. Po ashtu do ketë dhe shumë nene të tjera të cilat do të hartohen edhe në bazë të sugjerimeve që do të vijnë nga grupet e interesit.
Deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli janë duke punuar fort për draftin dhe çështje ditësh na ndajnë nga pensionimi i presidentit.
Reforma zgjedhore
Tjetër hall i Metës është reforma zgjedhore. PS dhe PD duket se janë në një linjë. Nëse kthehemi pas në kohë, PD ishte shumë agresive kur PS nuk pranonte kërkesat e saj. Nëse vijmë në fund të vitit 2018, PD nisi bojkotin e Parlamenti sepse PS nuk pranonte numërimin dhe votimin elektronik.
Sot socialistët kanë dalë me një draft të tyrin dhe opozita shprehet se nuk është dakord, por reagimi është shumë i zbehtë. Në realitet drafti i PS i intereson si Ramës, ashtu dhe Bashës. Heqja e koalicioneve favorizon dy partitë e mëdha. Nëse LSI e PD do hynin bashkë, e sigurt që LSI do të merrte 2-3 mandate falë PD.
Nga ana tjetër, PS ka futur hapje listash, por që rol ka renditja e kryetarit. Edhe kjo pëlqehet nga Basha. Kjo duket se lë pa gjumë presidentin, i cili mendon se po përsëritet një tjetër puç si ai i 17 majit.