Fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar ishte testi i suksesit të drejtimit të LSI-së nga Monika Kryemadhi dhe rezultati tregoi që ish-kryetarja e LSI-së e transformuar në Parti Lirie dështoi.
Arsyet se pse shqiptarët nuk e besuan Kryemadhin mund të jenë të shumta, e mes tyre mund të qëndrojë edhe fakti që ajo ‘u qante hallet’ qytetarëve e veshur me rroba e aksesorë bizhuterie në vlera miliona lek.
Në një rast, më 16 prill 2021, pra 9 ditë para zgjedhjeve parlamentare, Monika Kryemadhi poston në rrjetet sociale një foto nga një takim elektoral në Gjirokastër me një shënim optimist për rezultat pozitiv.
Por, ajo që bie në sy është xhaketa me të cilën Kryemadhi u premtoi gjirokastritëve zhvillim, luftë kundër papunësisë, kundër varfërisë e të tjera e të tjera. Xhaketa është ‘Balmain’ dhe Voxnews.al verifikoi çmimin e saj në treg plot 2650 dollarë, ose rreth 3 milionë lek.
Xhaketa i shtohet koleksionit të veshjeve e aksesorëve të kushtueshëm të Monika Kryemadhit. Voxnews.al ka sjellë më herët vëthët prej 2 mln lekësh, syzet 1.5 mln lekësh e shapkat prej gjysmë milioni lek.
Pra, me 3 mln lek xhaketë, 2 mln lek perla të varura në vesh, gjysmë milioni shapka të veshura në këmbë e syze 1.5 milionëshe, ajo ka denoncuar korrupsionin dhe u ka qarë hallet shqiptarëve që s’po mbyllin dot muajin, sepse nuk u del rroga, pensioni, apo asistenca sociale që përfitojnë nga shteti.
Kjo është garderoba e luksit e ish-kryetares së ish-LSI-së, të paktën ajo e dukshmja, që nëse është si ajsbergu, është vetëm 10 për qind e kostos totale të rrobave e aksesorëve me të cilat Kryemadhi del para shqiptarëve për t’u kërkuar votën./Vox