Mbi kullën “Eyes of Tirana” (Sytë e Tiranës) ngritur përballë Bankës së Shtetit janë shtuar 7 kate pa leje në lartësi dhe 1 kat shtesë nëntokë, ndërsa IKMT, IMT e Tiranës, Policia e Bashkiake dhe Policia e Shtetit nuk kanë ndërhyrë, nuk po ndërhyjnë e nuk po prangosin dot askënd…
Sepse bosët që e kanë bërë dhe po e vazhdojnë këtë krim ndërtimor, jashtë ligjit e në shkelje të rëndë të projektit, janë dy miqtë dhe klientët e kryeministrit Edi Rama: oligarku Artan Dulaku e trafikanti, kontrabandisti dhe vrasësi Armand Nazmi Lilo, kunat i Fatmir Xhafajt.
Ju zoti kryeministër, edhe për këtë “përbindësh” betoni në qendër të Tiranës, do thoni se “nuk dini gjë dhe nuk po e shikoni”, paçka se lejen për ndërtimin e ke dhënë vetë në KKT ku jeni kryetar, por dhe e keni përballë selisë së PS e te kryqëzimi ku çdo javë niseni drejt Rinasit.
Të gjithë institucionet ligjzbatuese e dinë dhe e kanë parë, që bosët Tan Dulaku e Armand Lilo i firmës “Arlis Shpk”, kanë shtuar 7 kate në lartësi te kulla me emrin “Sytë e Tiranës” buzë sheshit qendror të kryeqytetit, mirëpo vetëm sytë e Edi Ramës “nuk po e shohin” akoma.
Në fakt, Edi Rama e di dhe e ka lejuar vetë këtë shtesë prej 7 katesh lartësi e 1 kat shtesë nëntokë, qysh kur nisën katet pa leje; madje, qysh kur filloi kati i parë shtesë nëntokë e ato në lartësi, Edi Rama ka marrë 3 raportime nga IKMT-Qendrore, nga IMT e Tiranës e sidomos nga SHISH, i cili e ka vënë në dijeni, se kjo kullë me vlerë 250 milionë Euro, po ndërtohet me të ardhura nga droga, pastrimi i parave e krime të tjera.
Për paratë e pista të kësaj kulle me burim nga droga shqiptare, nga Turqia, Italia, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Anglia etj., kryeministri e dinte qysh para 12 dhjetorit 2017, kur dha lejen e ndërtimit për Tan Dulakun nën maskën e firmës “Concord Investment” e më gjoja investitorë firmën “Al Habtoor investimet LLC” nga Dubai.
Në shkelje të ligjit “Anti-mafie”, kryeministri refuzoi të merrte raporte nga Drejtoria e Pastrim-Parandalimit të Parave dhe nga Bankat para dhënies së lejes, për të verifikuar burimet financiare të ndërtimit të kësaj kulla.
Ndërsa SPAK ka detyrë funksionale dhe detyrim ligjor e publik, që në dosjen e kullës “Sytë e Tiranës”, të “hapë sytë” dhe të hetojë këto 10 prova:
Leja e ndërtimit nga KKT është dhënë më 12 dhjetor 2017, Bashkia e Tiranës e ka marrë për ekzekutim më 16 janar 2018, ndërsa Tan Dulaku i kishte nisur punimet qysh në muajin shtator 2017.
Më 12 dhjetor 2017, investitor në vlerën 250 milionë Euro, u shpall firma “Al Habtoor investment LLC” nga Dubai, por kjo firmë nuk ka kaluar asnjë qindarkë në asnjë bank shqiptare për këtë projekt, përkundrazi i ka paguar firma “Concord Investment Shpk” e Tan Dulakut.
Si u bë oligarku Tan Dulaku 3 muaj pas lejes së ndërtimit: nga zhvillues ndërtimesh, në investitor, me blerje të projektit 250 milionë Euro? Apo me lojën e letrave fiktive mes Ramës e gjoja investitorit arab?
Si përfundoi kjo kullë, nga 100% pronësi e Artan Dulakut, në pronësi të firmës “IDEAL Construction Shpk” e “Arlis Shpk, të dyja të trafikantit e ndërtuesit “lavatriçe” Armand Nazmi Lilo, kunat i Fatmir Xhafajt?
Kush lejoi, që projekti, firmosur nga arkitekti danez Henning Larsen e mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit, kulla duhej bërë vetëm me 24 kate mbi tokë e 3 kate nëntokë, ndërsa tani është bërë me 31 kate mbi tokë e me 4 kate në tokë? Pra 7 kate shtesë në lartësi e një nën themelin e projektit.
Ku i gjeti trafikanti Armand Lilo 250 milionë Euro që e bleu nga Tan Dulaku e vazhdoi ndërtimin?
Në faqen zyrtare, firma “IDEAL Construction Shpk”, pjesë e firmës “Arlis Shpk”, që ka blerë e po ndërton kullën “Eyes of Tirana”, figuron e krijuar 3 ditë para dhënies së lejes së ndërtimit nga Edi Rama, ndërsa në QKB figuron si e regjistruar më 6 maj 2013.
Çfarë ka fshehur e fsheh trafikanti “lavatriçe” Armand Nazmi Lilo, pas akt- shitjes fiktive të firmës së tij “Arlis
Ndërtim Shpk” më qershor 2020 e me vlerë 100 mijë lekë, te firma e tij “ARMAAR GROUP Shpk” e krijuar më 11 mars 2020, ose 1 muaj pas blerjes së kullës nga Tan Dulaku? Në këtë firmë ka përfshirë dhe firmën “IDEAL Construction Shpk” të kullës “Eyes of Tirana”.
Në projekt, sipërfaqja ndërtimore e kullës ka qenë 55 444 m2, por gjatë ndërtimit, oligarku Tan Dulaku zhvati dhe 790 m2 truall publik trotuar e rrugë, duke e çuar sipërfaqen 57 924 m2, ndërsa pasi kullën e bleu trafikanti Armand Lilo i firmës “Arlis”, shtoi 7 kate dhe sipërfaqja aktuale është 63 500 m2.
A e kanë falsifikuar, projektin fillestar në KKT-në e Edi Ramës e për rrjedhojë në Bashkinë e Tiranës dhe në Kadastrën e Artan Lames?
Nuk e dimë, nëse SPAK do t’i hetojë këtë prova krimi ndërtimor e me indicie për pastrim parash, por hetim duhet të bëjë dhe te zyra noteriale e firmës “Arlis Shpk” dhe Kadastra e Tiranës.
Sepse aty del, cilët familjarë kryeministrash, ministrash, deputetësh, kryebashkiakë, drejtorë qendrore, shefa policie e drejtësie, pronarë mediash, trafikantë e dashnore të tyre “artiste”, kanë prenotuar apartamente, zyra, dyqane, restorante e garazhe të kulla “Eyes of Tirana” (Sytë e Tiranës), 7 katet shtesë të së cilës… nuk po i sheh vetëm Babloku. Kaq për sot./Pamfleti