Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ShÇBA) ka nisur verifikimet për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët sot teksa u shpëtoi një person i shpallur në kërkim, shtrinë në tokë gazetarin Ergys Gjençaj. Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se SHÇBA do të verifikojë nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin e News 24.
Njoftimi zyrtar:
Menjëherë pasi u njoh përmes medias, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, ka nisur verifikimet për të parë nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin e TV News 24, z. Ergys Gjençaj, gjatë një operacioni në kryeqytet. SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla.
SHÇBA garanton opinionin publik dhe mediat, se mbeten të angazhuar e të hapur për të bashkëpunuar në kuadër të informimit dhe transparencës me publikun.