Ashtu siç ishte paralajmëruar, ish-kryeministri Sali Berisha do të kërkojë të konfirmojë sot në bazën e Partisë Demokratike shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD.
Kjo do të bëhet përmes një referendumi, në të cilin janë thirrur 76 mijë anëtarë, ndërkohë që nga ora 8 e mëngjesit të sotme deri në orën 17:00 pasdite, 106 QV në 71 degët e Partisë Demokratike në gjithë vendin do të jenë të hapura. Komisioni i Rithemelimit ka ngritur dje Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do merret me drejtimin e procesit të referendumit që do të zhvillohet sot për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Kryetare e këtij Komisioni do të jetë Albana Vokshi, ndërsa anëtarë do të jenë Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edith Harxhi dhe Keltis Kruja. Këtij Komisioni i është ngarkuar detyra për të organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar referendumin ditën e sotme, deri në shpalljen e rezultateve.
Degët refuzojnë referendumin
Por ajo që bie në sy në gjithë këtë situatë, është fakti se shumica e degëve të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë kanë refuzuar referendumin e Berishës që do të mbahet sot. Në fletën e votimit për këtë Referendum që, sipas Berishës do të rikthejë shpresën dhe lirinë, ngrihet një pyetje:
“A jeni dakord me vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e kryetarit të PDSH Lulzim Basha? “Po”, (dakord me shkarkimin) ndërsa “Jo” (kundër shkarkimit). Mirëpo gazeta ka siguruar detaje sa i takon referendumit të sotëm, teksa shumica e qendrave të votimit ku do të formalizohet shkarkimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i PD është se janë ngritur jashtë selive të Partisë Demokratike.
Mësohet se shumica e degëve që do të mbahet referendumi janë ngritur në lokale, biznese private apo edhe kinema. Kështu, Sali Berisha dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar nuk do të votojnë si zakonisht në selinë e PD, por kanë zgjedhur një lokal pranë ambasadës amerikane për të votuar për shkarkimin e Bashës. Bëhet fjalë për bar “Amerikën”, e cila do të jetë qendër votimi për degën e njësisë 2 në Tiranë.
Ndërkohë demokratët e njësisë numër 4 në Tiranë do të votojnë për shkarkimin ose jo të Bashës në ambientet e lokal “Pëllumbat e Paqes”, ndërsa ata njësisë numër 6 tek lokal “Kombinat Art”. Por lokalet nuk janë e vetmja zgjidhje për të formalizuar shkarkimin e Bashës në referendumit e sotëm, pasi ka degë që qendrat e votimit i kanë ngritur në kinema. I tillë është rasti i degës së Partisë Demokratike në bashkinë e Korçës, e cila do të ketë një qendër votimi, që do të jetë te ish-kinema “Milenium”. Edhe në Pogradec do të jetë po një qendër votimi, tek kinemaja e qytetit.
Berisha luftë të fortë në prapaskenë
Mirëpo në kushtet shumica e kryetareve te degëve të PD janë në mbështetje të Lulzim Bashës dhe nuk e njohin referendumin e Berishës, e për këtë arsye ditën e sotme selitë e Partisë Demokratike në rrethe do të jenë të mbyllura, ish-kryeministri dhe mbështetës të tij janë vënë në lëvizje.
Gazeta ka mësuar se gjatë gjithë kësaj jave ish-kryeministri Berisha ka urdhëruar ushtarët e tij që t’iu bëjnë presion dhe joshin demokratët, në mënyrë që këta të fundit të braktisin Kuvendin e sotëm të PD të thirrur nga Basha dhe t’i bashkohen referendumit të thirrur prej tij. Pra mësohet se qëllimi i kësaj lufte të fortë që Berisha dhe ithtarët e tij po bëjnë në prapaskenë është për të siguruar sa më shumë mbështetje sot. Ndërkohë mësohet se në shenjë revolte kundër Bashës, mbështetës e Berishës kanë ngritur edhe zyra paralele të PD në zona të ndryshme të vendit./RIGELS SELIMAN