Pas përfundimit të mitingut të Metës me protestues të Lulit, këshilltari Henz e pikasi pakënaqësinë e fortë të Lulit ndaj mënyrës se si Iliri e kishte keqpërdorur mbështetjen e tij.
Për këtë, ai i shkruajti një letër, ku e sqaronte për incidentet:
“I dashur Luli!
E kuptoj shqetësimin tënd.
Fillimisht e pashë që ti u mërzite pse ai nxorri “Gimin e Puros” në tribune, për të folur para demokratëve, si garant të demokracisë.
Arsyeja është shumë e thjeshtë.
“Gimi i Puros”, i ka dhënë garanci Ilir Metës të përdorë flamurin amerikan në protestë.
Ai ka kontaktuar me atë komshiun e vet në SHBA, që ka një kushëri që punon roje tek një kongresmen amerikan, dhe ai i ka dhënë garanci se mund ta përdorë flamurin amerikan, me kusht që të mos e puthë.
-Puthja quhet përdhunim, i kishte thënë, dhe reagon Ambasada.
Kurse valëvitja në ajër duke e mbajtur nga bishti i drurit nuk është gjë, se druri nuk e përcjell energjinë.
Meta i kishte kërkuar disa herë garanci “Gimit të Puros” për këtë çështje, dhe ai ja kishte dhënë.
Biles herën e fundit, i kishte thënë se ka dhe një mik tjetër që ka qenë me të ambasador në Nju Jork, i cili ka pas një shofer amerikan, i cili tani punon shofer tek një kongresmen, dhe ja kishte marrë edhe ai përsipër.
Nga ana tjetër, dhe 200 shqiptaro- amerikanët që kanë ardhur, si dhe ministri Demeriaj, i dhanë leje në emër të shtetit amerikan, ta tundte flamurin.
Pas kësaj, Meta ngriti flamurin amerikan.
Fakti që Ambasada reagoi ashpër kundër tij, nuk ka lidhje me opozitën.
Ambasada e di që populli në miting është i PD dhe ajo reagoi vetëm kundër Metës.
Ndaj nuk duhet marrë si sulm i Ambasadës kundër opozitës dhe PD, por vetëm kundër Metës.
Ti e di mirë këtë çështje, se ta ka sqaruar ambasadorja vetë në drekë.
Reagimi i Ambasadës kundër prekjes së flamurit nga Meta, praktikisht e ka dëmtuar reputacionin e “Gimit të Puros”.
Ai ka shans të rezistojë pranë Metës, vetëm nëse sjell urgjent fakte që ambasadorja Kim është njeri i Sorosit dhe që ata miqtë e tij në SHBA të kenë premtuar se do ta heqin shpejt.
Nëse ja arrin kësaj, hallal që foli sonte.
Nëse jo, haram e pastë vendin e nderit që i dhamë.
Se siç më tha dhe ish- deputeti Ruli: “Më 1991 PD nxirrte në tribuna Azem Hajdarin që thërriste poshtë “Gimi i Puros”, më 2020, PD nxjerr në tribunë “Gimin e Puros” që thotë “Poshtë vajza e Azemit”.
Kjo është e rëndë, por Meta thotë do ta korrigjojë.”