Aksionet e kompanisë së mediave sociale të presidentit të zgjedhur Donald Trump, Trump Media and Technology Group, patën një rënie të ndjeshme pas një rritjeje të shkurtër pas fitores së tij në zgjedhje.
Por me një postim të vetëm në platformën e tij Truth Social, Trump arriti të ringjallë çmimin e aksioneve dhe t’i shtonte 500 milionë dollarë pasurisë së tij.
Në hapjen e bursës së të premtes, aksionet e kompanisë kishin rënë me 42% pas një rritjeje të mëparshme, e nxitur nga spekulimet për një zhvillim pozitiv të mundshëm. Sidoqoftë, pas postimit të Trump, i cili mohoi zërat për shitjen e aksioneve të tij, vlera e tyre u rrit me afro 15%.
Trump, i cili zotëron 114.75 milionë aksione të kompanisë, arriti që pasuria e tij nga aksionet e Truth Social të kalojë në rreth 3.7 miliardë dollarë, nga 3.2 miliardë dollarë që ishte në hapje të bursës së të premtes.
Kompania, që shpesh quhet “meme stock” për shkak të luhatjeve të mëdha, ka të ardhura minimale në krahasim me rivalët si X, TikTok dhe Instagram, dhe vlera e saj varet kryesisht nga prania dhe pronësia e Trump-it.
Ky fakt ka ngritur shqetësime etike, duke qenë se Trump përfiton financiarisht nga deklaratat e tij publike, ndërkohë që ai mban edhe detyra publike të rëndësishme.