Bido Carrisi, djali i vogël i këngëtarit të njohur italian Al Bano dhe Loredana Lecciso, i ka shpëtuar për pak një prej tragjedive më të rënda të ditëve të fundit në Zvicër. Ai pritej të kalonte natën e Vitit të Ri në lokalin Le Constellation në Crans-Montana, aty ku një zjarr shkatërrimtar mori jetën e 40 të rinjve, por një ndryshim i papritur plani i shpëtoi jetën.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë nëna e tij, Loredana Lecciso, në një intervistë për mediat italiane. Ajo ka treguar se Bido e frekuentonte shpesh lokalin dhe kishte lidhje të forta me zonën, pasi ishte diplomuar në Crans-Montana, kishte kaluar verat atje dhe e dashura e tij është nga ajo zonë.
Familja ishte mbledhur për të festuar Krishtlindjet së bashku, ndërsa një nga alternativat për Vitin e Ri ishte qëndrimi në Zvicër. Megjithatë, në momentet e fundit, Bido dhe partnerja e tij vendosën të udhëtonin drejt Pulias për të pritur ndërrimin e viteve me familjen.
Sipas Leccisos, nëse do të kishin qëndruar në Crans-Montana, ishte pothuajse e sigurt që do të ndodheshin në lokalin ku ndodhi tragjedia. Ajo thekson se ky ndryshim i fundit i planeve ishte vendimtar dhe se kthimi në Cellino San Marco rezultoi shpëtimtar për djalin e saj./Corriere della Sera






