Drita Çomo vajza e Liri Belishovës nuk i përballoi dot vuajtjet, vdiq me kancer më moshën 23-vjeçare. Në ditën e vdekjes së Liri Belishovës nuk mund të mos kujtohet plagët që mori nga diktatura dhe vuajtjet që i shkëputën nga gjiri vajzën e saj të vetme, Dritën, një vajzë e bukur, e mençur dhe inteligjente.
Një ditar drithërues i saj i botuar para disa vitesh është shoqoëruar nga një parathënie e Ismail Kadaresë, i cili e përshkruan kështu skenën:
Një natë të ftohtë të vitit 1981, në një nga dhomat e spitalit Onkologjik të Tiranës ndodhte një skenë dhembjeje, tepër e njohur në këto mjedise: përbri shtratit të një vajze të re njëzetetrevjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, nëna e saj, e kërrusur nga brenga bënte të vetmen gjë që shumica e të afërmve bëjnë në kësi rastesh, i lagte buzët. Skena ishte diçka e përsëritur qindra herë në këtë ndërtesë të trishtë. E veçanta ishte se tek dera e dhomës së vajzës që po jepte shpirt, nënën e mjeruar e prisnin në këmbë dy njerëz të policisë së fshehtë shqiptare. Ata nuk e fshihnin padurimin, madje njëri prej tyre i tha gruas të shpejtonte. Edhe kjo nuk ishte e rrallë në Shqipërinë komuniste. Shpeshherë, ata që vinin për të parë të afërmit që jepnin shpirt në spitalet, ishin të internuar. Kështu që vinin të shoqëruar me roje dhe kohën e kishin tepër të kufizuar, madje duhej të falënderonin shtetin për zemërgjerësinë e treguar për dhënien e lejes. Shumë të tjerë as që arrinin ta merrnin dot lejen, ose e merrnin tepër vonë, kur i sëmuri ndodhej ndërkaq nën dhe. Gruaja kërkoi të rrinte edhe pak, por shoqëruesit, fare shpërfillës, e urdhëruan haptas të ngrihej. Te dera ajo bëri përpjekjen e fundit: “Unë njoh Nexhmije Hoxhën. Më lejoni t’i telefonoj. Ajo është nënë dhe do të më kuptojë”. Rojet qeshën me zë të lartë: “Si shumë lart e vrake! Dashke të shqetësosh edhe shoqen Nexhmije. Nuk thua faleminderit që të lamë dhe kaq”. Gruaja uli kryet dhe doli.”, shkruan Ismail Kadare.
Pas botimit të librit në një bisedë me zonjën Liri ajo ka treguar se “Pas heqjes së dënimit, bashkë me babanë e Dritës, Maqo Çomon, kur u kthyem në Tiranë i bëmë një vizitë zotit Isamil Kadare. Ismail Kadare u interesua për jetën e Dritës dhe kur ne i thamë se ajo ka bërë një ditar 600 faqesh, ku përmblidheshin edhe poezitë, ai kërkoi të la lexonte. Ja çuam ditarin dhe të nesërmen Zoti Kadare më telefonoi dhe unë përsëri shkova në shtëpinë e tij. Ishte emocionuar shumë dhe më tha se “ky ditar duhet të botohet patjetër, është një dëshmi e rëndësishme. Për këtë do të kuijdesem unë”. Dhe me të vërtetë shkrimtari i madh, por edhe zonja Helena u kujdes dhe ndihmoi shumë për botimin e ditarit të Dritës, bisedoi me shtëpinë botuese “Onufri”, gjeti titullin aq të goditur “Dritë që vjen nga humnera”, etj. Dhe kryesorja i shkroi parathënien aq të bukur, aq mahnitëse, një perlë e vërtetë.”, ka rrëfyer zonja Belishova para disa vitesh.
Për Liri Belishova botimi i këtij ditari që u prit me shumë interes nga publiku ishte si një ringjallje e vajzës. “Drita erdhi përsëri midis nesh, filloi jeta e saj e dytë, ajo jetë “që s’njeh as vegim, as ankth”. Ismail Kadare ka ndihmuar që libri i Drita Çomos i përkthyer nga Edmond Tupja të botohej edhe në FRancë nga shtëpia botuese “Du Rocher”.
Kur U botua ky libër Ismail kadre ka thënë: “Libri i Drita Çomos përbën një befasi për lexuesin francez. E kanë krahasuar me “Ditarin” e famshëm të Ana Frankut dhe në disa aspekte me “Pavijonin e kancerozëve” të Sollzhenicit”.