Çfarë parashikoi mirë dhe ku gaboi shkrimtari i njohur, Isaac Asimov, në një shkrim për “The New York Times”, në gusht të vitit 1964, për vitin që sapo filluam
I frymëzuar nga një vizite në Panairin Botëror të organizuar në New York, në gusht të vitit 1964, dmth gati 50 vjet më parë, shkencëtari dhe autori i njohur amerikan i librave fantastiko-shkencorë, Isaac Asimov, shkroi një artikull i cili u botua në gazetën “The New York Times.” Në këtë shkrim ai hamendësoi se si do të ishte bota në vitin 2014.
Si të gjithë ata që marrin përsipër të bëjnë parashikime, Isaac Asimov-i për disa gjëra i ka rënë kokës e për disa të tjera jo. Gjithësesi imagjinata e tij dhe arsyet që i dhanë krahë asaj, nuk mund të të lënë indiferent.
Në esenë e tij, Asimov-i imagjinoi që njerëzit do të largoheshin gjithnjë e më shumë nga natyra e do të jetonin në shtëpi me mure dhe tavane elektroluminishente, nga të cilat, pavarësisht se si ishte koha jashtë, një dritë e butë do të vërshonte në shtëpi me ngjyra që do të mund të ndryshoheshin me një të shtypur të butonit. Dritaret do të ishin të panevojshme, dhe nëse do të egzistonin, shkalla e opacitetit të tyre do të ndryshonte në përputhje me intensitetin e dritës së jashtme që do të binte mbi to.
Do të krijoheshin qytete të tëra të nëndheshme banorët e të cilëve do të mbillnin kopshte me zarzavate që rriten nën dritë artificiale dhe do të jetonin në shtëpi që do të ishin të pavarura nga trillet e kohës dhe të natyrës. Dhe jo vetëm kaq, por sipërfaqja e tokës do të mund të shfrytëzohej jo për të ndërtuar shtëpi banimi, por për të krijuar parqe, kullota e fusha të tëra bujqësore.
Pajisjet elektoshtëpiake dhe robotët do të përsoseshin gjithnjë e më shumë, duke i çliruar njerëzit nga punët e mërzitshme. Mëngjezi do të porositej që një natë më parë që të ishte gati në një orë të caktuar të nesërmen, ndërsa për drekë dhe darkë gjithnjë e më shumë do të haheshin ushqime gjysëm të gatshme të ruajtura në frigorifer. Punët e shtëpisë do t’i bënte një robot, që megjithëse kabah dhe i ngadaltë do të ishte në gjendje të ofronte një gamë të gjerë shërbimesh që do t’ia lehtësonin jetën kujtdo.
Panele diellore dhe stacione energjie të ngritura në hapësirë do të ofronin burime të reja energjie. Pajisjet me bateri që funksionojnë me izotope do të zëvendësonin nevojën për rrymë elektrike.
Makinambajtëse që ngrihen nga toka do të nxirrnin thuajse jashtë loje urat si dhe do të mundësonin zvogëlimin e trafikut në autostrada si dhe nevojën e shtrimit të herëpashershëm të rrugëve. Ndërsa për distanca të vogla, trotuaret lëvizëse në qendër të qytetit do të merreshin me transportimin e njerëzve.
Komunikimi mes njerëzve në distanca të largëta nga njëri tjetri do të ishte audioviziv. Ekrani do t’i jepte mundësi njerëzve jo vetëm të shihnin njëri tjetrin, por dhe të studionin a të lexonin dokumente të ndryshme si dhe libra. Satelitët që vërtiten nëpër hapësirë do të bënin të mundur lidhjen e drejtëpërdrejtë me çdo pikë të globit.
Për sa i përket televizorëve, ekranet e sheshta do të zëvendësojnë televizorët e vjetër si dhe do të krijoheshin disa si kuba transparentë që duke u rrotulluar ngadalë, do të mundësonin shikimin në 3D.
Ajo çfarë e shqetësoi shkencëtarin ishte shtimi i numrit të popullsisë me ritme të shpejta, e në mënyrë të pakontrolluar gjë që do t’i detyronte njerëzit të jetonin në shkretëtira, zona polare apo hapësira të tjera të pashfrytëzuara më parë për banim. Do të shfaqeshin kështu dhe qytetet nënujore, gjë që do të sillte shfrytëzimin e pasurive nënujore qoftë ushqimore qoftë minerale. Popullata e Tokës brenda 500 vjetëve do të rritej në atë pikë sa të sillte kolapsin e shoqërisë njerëzore. Dy mënyra për të parandaluar këtë ishin sipas shkencëtarit: 1) rritja e shkallës së vdekshmërisë dhe 2) ulja e shkallës së lindshmërisë. Ai pohon se deri në 2014-ën njerëzit do të kenë rënë dakort që mënyra më e mirë është e dyta. Zhvillimet në fushën e mjekësisë do të kenë bërë të mundur që jetëgjatësia mesatare në pjesë të caktuara të globit të ketë kapur moshën 85 vjeç. Propaganda për planifikim familjar, racional dhe human, nga ana tjetër, do të vinte duke u shtuar e do të bëhej më intensive në vitin 2014.
Në 2014-ën njerëzit gjithnjë e më shumë do të specializoheshin për t’u kujdesur për makinat dhe robotët, dhe në shkollat e mesme nxënësve do t’u mësohet aritmetika binare, bazat e kompjuteristikës si dhe gjuhët e programimit.
Sëmundja më e përhapur mes njerëzve do të ishte mërzia, e cila do të vinte jo pa pasoja emocionale, mendore dhe sociologjike. Kështu Asimov-i pa psikiatrinë si fushën më të rëndësishme të mjekësisë së 2014-ës.
Elita e njerëzimit në vitin 2014, sipas tij, do të ishin fatlumët e paktë që do të merreshin me punë krijuese, sepse ata dhe vetëm ata do të kishin mundësinë të bënin diçka më shumë se sa thjesht të viheshin në shërbim të makinave. Dhe në një kohë pushimi të detyruar, e vetmja fjalë më e lavdishme në fjalor do të jetë fjala “punë”.
* * *
Shumë arritje teknologjike i kanë kaluar parashikimet e shkencëtarit e të tjera jo ose të paktën jo në atë shkallë shtrirjeje sa mendonte ai. Përsa i përket masave që njërëzimi do të merrte për mbrojtjen e planetit, shkencëtari është treguar tepër optimist. Çoroditja e klimës, zhdukja e specieve të ndryshme, probleme këto që në 1964-rën ishin ndoshta në fillimet e tyre, tashmë janë shndërruar në një kërcënim që dikton gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe kërkon bashkëpunim në shkallë botërore. Arsyeja është indiferentizmi i treguar në vite dhe që vazhdon dhe sot në pjesë të caktuara të globit.
Përsa i përket “mërzisë”, të cilën Asimovi e cilësoi si sëmundja e vitit 2014, atë nuk e kurojmë as tek psikiatri e as tek psikoanalisti, por ia mohojmë vehtes kryesisht duke vrarë kohën nëpër rrjetet sociale të Internetit. Dhe më shumë se psikiatria, kirurgjia plastike është bërë fusha e mjekësisë më e rëndësishme dhe më fitimprurëse. Me ndërgjegjen e rënduar nga rënkimet e planetit dhe të kohës së vrarë, marshojmë drejt Vitit të Ri 2014 më të bukur se kurrë. (Illyria)