Fotografi Agim Rama publikon disa foto të një prej figurave qendrore të PS, Servet Pëllumbi i cili tashmë ka të birin në Parlament, Arben Pëllumbin, dalë deputet nga qarku i Tiranës. Rama kujton një episod të vështirë në Pallatin e Sportit në Durrës ku dikush ka tentuar ta qëllojë Servet Pëllumbin me kaçavidë.
“Njeriu që mbushte sheshet kudo në Shqipëri dhe rriste vlerat e Fatos Nanos që ishte burgosur nga regjimi Berishian, edhe profesori u dënua në jo pak mitingje nga ky regjim. Profesori është gjallë, mund të thotë të vërtetën. Në Pallatin e Sportit në Durrës pasi u fikën dritat gjatë fjalimit të tij, në dalje, në errësirë, ndërsa unë shkrepja flash-in e pararatit fotografik pas shpinës së tij për t’i ngriçuar rrugëdaljen, një dorë e zezë e gjuan me kaçavidë profesorin, por meqë krahu im ndodhej në qafën e tij, nuk u bë goditja.
Por goditjen më të rëndë, profesori e mori nga Fatos Nano për të cilin u sakrifikuan shumë socialistë të ndershëm, edhe z.Pëllumbi. Në kongresin e Partisë Socialiste, Nano do të përdorte tezën e Sali Berishës duke e quajtur “marksist”. Në dalje e pyes profesorin nëse u lodh pasi qe djersitur. “Jo Gim-më tha. U mërzita shumë. S’e prisja nga Fatos Nano këtë shpërblim”. Unë shpërtheva në lot.
E kisha kuptuar që Fatos Nano nuk e donte profesorin qëkur doli nga burgu e mori drejtimin e partisë, për faktin që nuk e priti profesor Pëllumbin në zyrë. Njëherë i kishte thënë Kristina, sekretarja e asaj kohe dhe ja dy herë unë. Mua më tha: Mos u merr me këto punë, po shiko aparatin! Këto ja kam thënë profesor Servetit. Zoti është me ty. Brezat do ta vlerësojnë kontributin tuaj për kombin”, rrëfen fotografi Agim Rama.