E shpërngulur në Zvicër prej disa vitesh, Aina Hoti një mikeshë e mirë e Shqipërisë, nuk rresht së menduari për vendin e saj, edhe tani që ndodhet larg ajo ka gjetur dhe mënyrën se si të jetë e pranishme dhe të kontribuoj për vendin që e do aq shumë, duke i çelur një “derë” promovimit të kulturës, traditave dhe bukurisë së vendit që padyshim dhe Ainës i dha shumë.
Aina fare mirë mund ta quajmë “ambasadoren” e promovimit të kulturës së vendit tonë në Zvicër, me një aktivitet modest prej 5 vitesh, ku herë pas here me shoqatën e saj, organizon projekte jo vetëm kulturore dhe artistike por edhe ndërmjetësim midis bizneseve të dy vendeve. Për kontributin e saj të paçmuar në promovimin e kulturës së vendit tonë, ne kemi zgjedhur të bëjmë një intervistë të shkurtër, me Ainën për ta falenderuar për punën e saj të palodhshme.
Aina si është të jetosh midis Shqipërisë dhe Zvicrës?
Aventurë (qesh). Nuk është e lehtë por as e vështirë kur ti ke zgjedhur këtë jetë.
Na trego pak historinë e udhëtimit tënd profesional dhe personal deri tani?
Po fillova nuk mbaroj, por mundem t‘iu them që çdo vendim që kam marrë pas kohësh me të vërtetë ka dal në rezultat, jeta që unë dua të bëj. Të udhëtoj, të fitoj eksperienca të reja, të krijoj miqësi. Pas 2008 vendosa të krijoj biznesin tim të parë në Shqipëri, çdo eksperiencë e imja ka qenë si „Liza në botën e çudirave“. Jetoja në përrallën time dhe realizoja çdo dëshirë timen. Nga disa vendime jam zhgënjyer, jeta sdo ishte e bukur pa ato dhe nga disa jam kjo që jam tani, e fortë dhe e lumtur.
A ndjehet Aina tani më e kompletuar?
Në fakt në çdo hap të jetës kam qenë e kompletuar, gjithmone kam pasur dhe arritur ato që kam dashur. Një punë e mirë, jetë sociale, miq kudo dhe familjen, bazën time gjithmonë aty, si një kështjellë që të mbron në çdo orë e nevojë. Shumë herë jam rrëzuar, kam humbur shpresat, por ja ku jam prapë e fortë dhe siç thonë të tjerët, e njëjta pa shumë ndryshime.
Na fol pak për jetën tënde sociale, ky ishte dhe qëllimi i kësaj interviste që kur kemi biseduar sëbashku në Tiranë?
Nga t’ia filloj? Jetë sociale për mua nuk është të jesh e njohur ose VIP siç i quajnë, por social dhe i pranueshem në shoqëri. Besoj se ja kam arritur, unë të paktën jam me fat nga njerëzit që më rrethojnë. Miq dhe bashkëpuntorë kudo, në çdo cep të botës. Mbase nuk shihemi shpesh por gjithmonë e gjejmë atë kohën të ndajmë dhe të japim nga jeta jonë.
Prej vitit 2017 ke krijuar “Swiss Albania Event“, do na tregosh pak si lindi kjo ide?
SAE, është „bebja ime“, që do më shoqëroj besoj për shume vite akoma, deri sa të gjej dikë të më zëvendësoj. Është dashuria ime për Shqipërinë, mënyra më e mirë të promovoj punën e palodhur që bashkëpuntorët dhe miqtë e mi artistë krijojnë dhe na nderojnë me arritjet e tyre. Lindi një ditë me dëshirën të krijojmë një ekspozitë, pikërisht Expon „Natyrë e virgjër“ me Helidon Haliti dhe pikërisht ato ditë në diskutim me rrethin tim shoqëror thamë, po pse se krijojmë një agjenci që do të krijoj evenimente cilësore?! Kështu dhe lindi ideja, pasi për mirë apo për keq njerëzit që mua më njohin e dinë që unë nuk dorëzohem kurrë dhe do të jap më të mirën time po thashë po.
Sa aktivitete keni krijuar dhe ku bazoheni? Po flas në shumës, se sigurisht keni dhe njerëz që bashkëpunojnë me ju?
Shumë mirë e the, “Jemi“. Në realitet, ideja dhe implemintimi në të shumtat e rasteve dalin nga unë personalisht, por që të realizohen sigurisht që kam miq të fushës, që gjithmonë më këshillojnë dhe janë pjesë e aktiviteteve të SAE. Perveç kësaj në ekipin e ngushtë jemi 4 persona, 3 prej të cilësve nuk preferojnë të jenë në dukje, kështu që më ngel mua zakonisht të jem e kudondodhur. Sëiss Albania Event është OJF me status prej vitit 2018 dhe numëron mbi 35 aktivitete online dhe prezente. Bashkëpunime me shoqata të tjera dhe persona që skanë nguruar të japin për realizimet e vizionit tonë. Aktivitete që disa nga ato tashmë kanë ngelur traditë dhe jemi te edicioni i 3-të… si përshembull Expo e fëmijëve, „Çfarë mbani mend nga atdheu“, apo edhe bashkpunimet e ndryshme me artistë, autorë, trajner dhe shoqata të tjera. Urojmë të kemi sa më shumë organizime sa i përket artit, kulinarisë, turizmit dhe traditës tonë edhe më shumë sa kalojnë vitet.
Vitin e kaluar startove një projekt Abi Agency. Çfarë është Abi Agency?
Abi Agency, pas shumë përpjekje është OJF me status më në fund, është një OJF që realizon ndërmjetesimin e bizneseve dhe zhvillimin e tyre në të dyja vendet. Pasi kaluam disa vështirësi me bordin drejtues ramë dakort që do ketë rolin e organizatorit dhe vetëm për momentin. Ka një kontribut kortizimi vjetor që përfshin reklamimin në adresën tonë të ëeb dhe çmime potenciale midis anëtarëve në shërbime. Por ka dhe një super rol, idenë e projekteve inovatore për zhvillimin personal tek rinia dhe promovimin e kompetencave të tyre te bizneset.
Sa e lehtë është të organizosh apo të shkruash një ide projekte?
Shumë e lehtë, kur s‘ke të bësh me faktin që duhen fonde dhe shumë e vështirë kur duhet të gjesh fonde që të krijosh diçka serioze dhe profesionale.
Çfarë do të kërkonte më shumë Aina për të zhvilluar aktivitetet dhe organizimet?
Seriozitet tek bashkëpuntorët dhe vlerësimin e biznesit. Do thoja edhe tek shteti shqiptarë, por e kam hequr nga lista se s‘mundem të shtirem e të lëpihem që të krijojmë diçka të bukur. Kushdo e di, që Swiss Albania Event është aty në diasporë, dera është e hapur për këdo. Shumë mendojnë se Aina është bërë e pasur me shoqatën, e shumë të tjerë pyesin ku i gjen të ardhurat që mbulon shpenzimet e shoqatës. E para, të krijosh një event të paktën në Zvicër është si të drekosh me miq. Zgjedhja ime shumë herë ka qenë të mos dal me 2 apo 3 miq, po të bëj një aktivitet, sepse nga ato aktivitete ka ndodhur jo pak herë që unë të kem njohur njerez te rinj dhe bashkëpuntorë potencial. Më të shumtat e rasteve, shpenzimet janë paguar nga llogaria ime, as më ka dhembur përkundrazi di që në fund jam e lumtur me rezultatin dhe si kam njeriu borxh. Prandaj dhe ndihem krenare se ja kam dal vetë në më të shumtat e rasteve. E dyta, të bësh aktivitete serioze duhet dhe seriozitet por duhet gjetur dhe mënyra se si mundemi ta organizojmë. Nuk është e vështirë, por besoj që ndihma e biznesit në jetën sociale si sponsorizim ku ka impakt pozitiv në familjen shqiptare por edhe te imazhi që ne lejmë tek zviceranët, duhet te jete aty. Zakonisht evitoj të kërkoj ndihmë dhe kur kam kërkuar ka qenë brenda normave pa e tepruar. Këtu dua të falenderoj këdo që ka kontribuar si në orë pune apo dhe në anën monetare në shoqatën tonë.
Çfarë mendoni për të ardhmen? Ju merreni me promovimin e Shqipërisë, sidomos të turizmit, a mendoni se do ktheheni një ditë?
Unë jetoj me turizmin, fatmirësisht agjencia ime Statusal Travel & Business Development shërben për shqiptarët por tashmë edhe për zviceranët. Ajo që pyes gjithmonë veten është: Vendit tim i shërbej më mirë duke qëndruar në Zvicër, apo është e domosdoshme të kthehem? Gjithmonë mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur duke qëndruar në Zvicër dhe kontribuar për vendin tim, më duket sikur s’jam larguar asnjëherë prej tij dhe të qëndruarit midis tyre më ngushëllon shumë. Jetoj në një vend ku çdo ditë mësoj gjëra të reja dhe zhvilloj njohuritë e mia. Dëshira ime e madhe është të jem midis 2 vendeve ashtu siç kam qenë deri tani. Shumë miq tashmë zviceranë, kanë shprehur dëshirën të organizojmë grupe dhe sëbashku të vizitojmë shqipërinë, si edhe shumë bashkëpuntorë duan të zgjerohen në tregun zviceran. Unë e gjej veten aty diku midis 2 vendeve. Në pleqërinë time po e imagjinoj veten në një hotel të vogël anës detit, të pres miq dhe turistë, pasi të kem marrë eksperiencën ndër vite. Kemi kohë deri atëherë!
Kush janë planet e Ainës në të ardhmen?
Viti 2022 për mua ka filluar plot suksese. E them shpesh që është viti im dhe e besoj totalisht. Deri tani kam dhënë shumë për të tjerët. Ekperienca ime e fundit më ka dhënë mundësinë të zhvilloj një ide biznesi që do jetë surprizë në 2 vitet e ardhshme. Më ka dhënë mundësinë të merrem me zhvillim personal, pasi pata mundësinë të përfundoja kolegjin në Athinë Executive Diploma and Finance Management dhe mundësisht do vazhdoj që të përfundoj dhe NLP DIPLOMA me zonjën Shpresa Rupar. Prioritet është zhvillimi i biznesit tim, Turizëm-Marketing-Business Development, edhe pastaj nuk lejmë pas aktivitetet e Sëiss Albania Event.
Cili është mesazhi juaj për ata të rinj apo të reja që kanë nisur një rrugëtim si i juaji apo dhe po ndërmarrin sfida të reja në jetë?
Për të gjithë miqtë, koleg dhe këdo që më lexon, sot kam vetëm një mesazh: Mos u dorëzoni përballë vështirësive, por mbroni me këmbëngulje dëshirat tuaja, jetoni, shijoni çdo moment. Suksesi nuk vjen pa deshtim. Jeni vetvetja juaj. Po e mbyll me nje citim qe mua me pelqen shume kohet e fundit, që është: Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim. – Herman Melville