Dalin prapaskenat e pushimit të hetimeve për lobimet e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të hënën të gjithë prisnin që gjykata të vendoste kalimin për gjykim ose kthimin mbrapsht të dosjes për Lulzim Bashën, por gjykata vendosi që hetimet të pushohen. Mirëpo dje u kuptua qartë pazari që ka ndodhur. Në këmbim të mbylljes së çështjes, Lulzim Basha ka pranuar të ulet në tryezën e dialogut me mazhorancën.
Fakti që vetëm një ditë pas pushimit të çështjes u mblodh tryeza, tregon qartë shumë gjëra. Mazhoranca prej disa kohësh i ka bërë thirrje opozitës jashtëparlamentare për tu ulur në tryezë, por që është refuzuar hapur nga Lulzim Basha dhe emrat e tjerë pranë tij. Vetë kreu demokrat ka deklaruar se nuk do të ulej në një tryezë me bashkëkryetarin Damian Gjiknuri për zgjedhoren. Por tashmë me të drejtë lind pyetja: Përse Basha u tërhoq papritur nga sulmet dhe akuzat? Si duket kreu demokrat i ka kërkuar mazhorancës garanci për mbylljet e hetimeve për lobimet në SHBA, që të pranojë kërkesën e tyre që të ulen për miratimin e reformës zgjedhore.
Burime shumë të sigurta të gazetës, bënë me dije se ky takim ka disa javë që po diskutohej në prapaskenë mes mazhorancës dhe opozitës jashtë Parlamentit. Po të njëjtat burime theksuan se mes tyre ka pasur shumë telefonata dhe takime, të cilat nuk janë bërë publike nga asnjë palë politike, çka tregon edhe një herë qartë pazarin që ka ndodhur mes tyre. Tashmë nuk ka më asnjë dilemë se përse Lulzim Basha u tërhoq menjëherë nga sulmet për mazhorancën.
Topalli akuza për marrëveshje Rama-Basha
Por ajo që e përforcon akoma më shumë pazarin që ka ndodhur mes Lulzim Bashës dhe mazhorancës, janë zërat e ish-komponentëve të PD. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila njihet për qëndrimet kundër Lulzim Bashës, ka hedhur akuza të forta në drejtim të këtij të fundit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Topalli deklaroi se dje në tryezën e reformës zgjedhore doli në dritë një marrëveshje e re mes Ramës dhe Bashës, që sipas saj ishte më e keqe se ajo e 17 majit 2017. Topalli akuzoi kreun demokrat se e ka lënë vendin pa opozitë dhe ka nxitur përplasjet mes qytetarëve.
“Njeriu, që la vendin pa opozitë! Më pis edhe se 17 maji. Një ditë pas mbylljes së dosjes së tij penale, Lulzim Basha u ul në tavolinën e Ramës. E sotmja ishte vetëm shfaqja e shëmtuar publike e një marrëveshje private e okulte, të re, të bërë prej kohësh. Dhe kjo, është më e zezë se ajo e 17 majit. Në historinë 30 vjeçare, pas rrëzimit të sistemit diktatorial, asnjë politikan, as i majtë as i djathtë nuk ka shitur misionin opozitar kështu siç e bën ky. Dhe kësaj radhe e bën, pasi ka dorëzuar e djegur mandatet e opozitës, pasi i ka dhuruar gjithë bashkitë kundërshtarit, pasi ka nxjerrë PD nga çdo përfaqësim, e pasi e ka dëbuar nga sistemi. Pasi ka hedhur flakë e molotov, pasi ka sulmuar aleatët tanë ndërkombëtarë, pasi urdhëroi djegien e shkollave dhe shpresoi në një përplasje të qytetarëve me njeri tjetrin”, tha ajo.
Topalli vijoi më tej me sulmet duke shtuar se Basha po i jep mandatin e tretë Ramës me faljen e pushtetit vendor. Sipas saj, kreu demokrat e mbylli revolucionin kundër qeverisë një ditë pasi gjykata dha vendimin për atë. “Pasi kishte premtuar se do rrëzonte Ramën, se nuk do lejonte zgjedhje më 30 qershor, pasi premtoi se do bënte zgjedhje lokale e politike në një ditë, e pastaj se do i bënte më 13 tetor… dmth pasi gënjeu, siç din ta bëjë vetëm Lulzimi. Sot, publikisht u ul në tavolinë (për zgjedhjet) edhe me Gjiknurin, me atë të dosjes 184, të përgjimeve të Bild! “Revolucionin” e filloi pak ditë pasi u riaktivizua dosja e 1 milion dollarëve të lobimit, dhe e mbylli sot, një ditë pas pushimit të saj si çështje. Me 17 majin Lulzim Basha, pasi plagosi rëndë PD, i dha mandatin e dytë Ramës; Me pazarin e fundit, pasi e zhduku PD nga çdo institucion, i dhuroi mandatin e tretë. Kam vite që përsëris se: Pa hequr Lulzimin nuk ik Rama”, tha Topalli.