Nga Alfred Peza
“Të bëhet drejtësi, edhe nëse qielli përmbyset”. Me këtë shprehje të njohur u inaugurua pak kohë më parë në Tiranë, godina ku janë vendosur njerëzit e vettingut në sistemin e drejtësisë shqiptare. Nga aty presupozohet se ka nisur shkatërrimi i sistemi të vjetër, e mbi gërmadhat e tij, po ndërtohet e po mer shtat një sistem i ri.
Ende pa u ngritur në këmbë, reforma më e rëndësishme dhe e thellë që ka ndërmarrë perëndimi në Shqipëri, është sot para provës së saj më të madhe e të vërtetë. Eshtë fjala për dosjen “Babalja”. E cila për shkak të njërës prej përplasjeve më të forta publike të viteve të fundit, që shkaktoi mes opozitës dhe mazhorancës, meriton të trajtohet si akti i parë i Drejtësisë së re shqiptare.
Dosja “Babalja” meriton këtë status special, për shkak se në lojë është fajësia ose pafajësia e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Nëse vëllai i tij është pjesë e audiopërgjimit, për Fatmir Xhafën ka dy rrugë: Ose atje ku është sot, ose jashtë politikës.
Ndaj: “Të bëhet drejtësi, edhe nëse qielli përmbyset”.
Dosja “Babalja” e meriton që të jetë Akti Nr. 1 i drejtësisë së re, për shkak se denoncimi i skandalit u bë nga lideri i opozitës, i cili është njëkohësisht edhe kandidati për Kryeministër i Shqipërisë. Nëse kauza e tij rezulton e drejtë, Lulzim Basha e meriton që të realizojë sa më parë, ëndrrën dhe ambicjen e tij më të madhe politike. Nëse e gjitha del se është e pavërtetë, një film, një shpifje, një sajesë, një gënjeshtër e madhe, por e bërë pa koshiencë, Kryetari i PD duhet të distancohet një sekondë e më parë nga e gjitha kjo, ti kërkojë falje shqiptarëve dhe le ti bëhet mësimi më i madh i jetës së tij publike. Nëse nuk e dënon këtë ngjarje dhe nuk ia dorëzon vartësit e tij të implikuar direkt në këtë skenar drejtësisë së re, atëherë vetë Lulzim Basha duhet të marë përsipër gjithë përgjegjësitë publike e penale dhe të largohet nga politika.
Ndaj: “Të bëhet drejtësi, edhe nëse qielli përmbyset”.
Dosja “Babalja” e meriton që të konsiderohet si guri i provës për drejtësinë e re shqiptare, sepse edhe opozita e re shqiptare, LSI dhe kryetarja e saj Monika Kryemadhi, janë investuar, kanë akuzuar, kanë debatuar dhe janë përbetuar se Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama janë kokë e këmbë brenda këtij skandali. Nëse vërtetohet e kundërta e të gjitha pretendimeve të grupit të tretë më të rëndësishëm politik në Shqipëri, atëherë duhet të kërkojnë falje, të distancohen dhe ta dënojnë pa asnjë ekuivok, të gjithë këtë shfaqje të paprecedentë për historinë e re të demokracisë shqiptare. Në të kundërtën, edhe Monika Kremadhi të shoqërojë Lulzim Bashën për tu larguar nga politika.
Ndaj: “Të bëhet drejtësi, edhe nëse qielli përmbyset”.
Dosja “Babalja” e meriton që të konsiderohet si “provimi i diplomimit” për drejtësinë e re shqiptare, sepse shefi i mazhorancës Edi Rama e ka mbrotjur që në fillim me vendosmëri versionin që sot ka dhënë me prova të plota juridike, pas një hetimi të thelluar punal, Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nëse do të dalë e kundërta, atëherë edhe Edi Rama duhet të marë përsipër të gjitha përgjegjësitë publike dhe të largohet nga posti i Kryeministrit të vendit.
Ndaj: “Të bëhet drejtësi, edhe nëse qielli përmbyset”.
Dosja “Babalja” ka edhe një fat tjetër të pazakontë për historinë e drejtësisë dhe politikës shqiptare. Si rrallëherë, ajo nuk është një çështje ku në fund drejtësia mund të vendosë si parimit “as, as” apo “edhe, edhe”. Në fund të saj ka vetëm një rrugë: E cila ndahet qartë, prerë dhe saktë: “Ose, ose”. Për këtë çështje ose Lulzim Basha është fajtor, ose Edi Rama është fajtor. Ose njëri, ose tjetri ka të drejtë.
Ndaj: “Të bëhet drejtësi, edhe nëse qielli përmbyset”.
Në të kundërtën, këtu as drejtësi që nuk duket se do të bëhet më ndonjëherë, qielli jo e jo që nuk do përmbyset, por as Babalja vetë, nuk do dënohet.