Nga Andrea Danglli
Sikur t’i kishim kërkuar llogari të zgjedhurve tanë po aq sa po i kërkojmë ambasadorit Donald Lu, mbase rrjetat tashmë do ishin vendosur si relika në ndonjë muze pasi peshqit do ishin gjetur, kapur dhe ndëshkuar me kohë e vakt, rregulla e ligje…
Deputeti i zonës që paguhet me taksat tona s’është problem nëse na gënjen me ndonjë konservë peshku dhe pakëz raki tek lagjia, ndërsa nga diplomati i huaj që paguhet me taksat e vendit të tij, kërkojmë llogari nji më nji, dy më dy e tre më tre për çështje që duhet të ishin zgjidhur nga shqiptarët. Po po, nga ata që ne paguajmë për të trashur zverkun e ekonomisë e drejtësisë dhe jo zverkun e qafës së tyre nga mandati në mandat… Sa çudi!
Nuk i bën keq askujt kjo përveshje mëngësh, por ama do ishte më serioze të niste përpara nga të paguarit tanë që na mashtrojnë me konserva peshku dhe për të vazhduar më pas me diplomatët e huaj që premtojnë se do na çlirojmë nga peshqit e mëdhenj pasi kanë dhënë kallamë dhe instruksione peshkimi, por çe do që s’u zhytën vetë në gjol si peshkatarë!
P.s; Zhvillimet më sjellin ndërmend historinë e mustaqeve të Çelos i cili u kthye nga Amerika në fshatin e tij gjatë kohës së mbretit Zog. Menjëherë nisi ndërtimin e urës së zonës duke punësuar një tufë dembelësh nga fshati që veç fjalë kishin.
Në fund Çelo u vu përpara me tallje bajate sepse ishte qose (pa mjekër) deri sa iku sërish në SHBA. Ura në atë zonë akoma dhe sot s’ka përfunduar prej dembelëve.
Kështu do ngelen edhe urat e drejtësisë në këtë vend ku të mundurit do kalojnë pa u lagur dhe të pamundurit do zhyten deri sa t’i mbarojë fryma!
Kaq, çdo gjë tjetër “merr baltë hidh baltë”, përveç se na bën pis, nuk prodhon asgjë tjetër!