Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka zhvilluar sot një mbledhje të jashtëzakonshme pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në seancën e sotme u morën disa vendime, ndër të cilat ishte zgjedhja e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit si Mbikëqyrës i Fronit Kryepeshkopal. Gjithashtu u shpall zia kishtare për 5 ditë duke nisur nga dita e sotme.
Në njoftimin e Kishës bëhet me dije se pritja e trupit të Kryepeshkopit do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025. Ndërkohë njoftohet gjithashtu se varrimi do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
NJOFTIMI I PLOTË:
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme sot, më datë 25 janar 2025, në orën 11:30.
Në këtë seancë, Sinodi shprehu dhimbjen e thellë për fjetjen në Zotin të Atit dhe Kryebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.
Gjithashtu, Sinodi i Shenjtë mori këto vendime:
Zgjedhjen e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, si Mbikqyrës (Locum Tenens) të Fronit Kryepiskopal.
Shpalljen e zisë kishtare për pesë ditë, nga datat 25 – 29 janar 2025.
Pritja e trupit të Kryepiskopit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025.
Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Në përfundim të seancës, Sinodi i Shenjtë kreu një shërbesë përshpirtjeje dhe, njëkohësisht, fton të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për prehjen e shpirtit të Atit dhe Kyebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë Imzot Anastasit.
Sekretariati
Mitropoliti i Amantias
† Nathanail
Tiranë, më 25 janar 2025