Sistemi tatimor i Italisë është i padrejtë, në një mënyrë që lejon 7% më të pasurit e shoqërisë, të paguajnë proporcionalisht më pak taksë, sesa njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme, tregon një studim i ri, duke nxitur pabarazinë dhe duke dëmtuar financat publike në një nga kombet me më shumë borxhe të Europës.
Në vendet e zhvilluara, të pasurit, të ndihmuar nga këshilltarët financiarë dhe taksat e ulëta për investimet, gjejnë mënyra për të maksimizuar kthimin e kapitalit dhe për të ulur faturat e tyre tatimore, dhe 1-2% e më të pasurve shpesh paguajnë proporcionalisht më pak se ata që janë poshtë tyre.
Por në Itali, këto padrejtësi dhe shtrembërime në sistemin tatimor, nisin shumë më herët në shkallën e të ardhurave dhe pasurisë, sipas studimit të pesë ekonomistëve, përfshirë ish-zyrtarin e Thesarit, Alessandro Santoro.
Studimi, i cili ka shkaktuar debat në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës, tregon se sistemi është regresiv jo vetëm për 1-2% e më të pasurve, por për 7% e njerëzve më të pasur, duke përfshirë pagat mesatare-të larta, si dhe ultra të pasurit.
Tatimi progresiv do të thotë, që sa më shumë të keni, aq më shumë paguani si përqindje e fitimeve dhe aseteve tuaja. Sistemi bëhet regresiv kur ky parim përmbyset.
“Ka prova, që regresioni në Itali është i jashtëzakonshëm krahasuar me ekonomi të ngjashme dhe ndikon në të ardhurat mbi 76,000 euro me pasuri prej rreth 450,000 euro,” tha Santoro.
Ulja e pabarazisë dhe borxhit
Kjo situatë ka pasoja të mëdha për ekonominë e Italisë, thonë shumë ekonomistë.
Ata thonë se rritja e taksimit për personat me të ardhura mesatare dhe të larta do të reduktonte pabarazinë në një vend, ku varfëria është rritur prej vitesh dhe do t’i mundësonte qeverisë të reduktonte nivelin e borxhit. Italia është vendi i dytë me borxhin më të madh në Eurozonë.
Përndryshe, mund të ofrojë hapësirë për të ulur taksat për ata, që fitojnë më pak të cilët shpenzojnë proporcionalisht më shumë nga të ardhurat e tyre sesa të pasurit, duke ndihmuar potencialisht konsumin dhe rritjen në ekonominë më të ngadaltë të Eurozonës.
Një zëdhënës i Thesarit tha se qeveria ishte kundër rritjes së taksave dhe vuri në dukje uljen e taksave për njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme në buxhetin e 2025.
Italia është një vend me taksa relativisht të larta, me taksa të të gjitha llojeve, që arrijnë në 41.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Por barra shpërndahet në mënyrë të pabarabartë.
Vendi ka taksim të ulët për disa prona dhe asete financiare, që janë burime tipike të të ardhurave për të pasurit, norma të favorshme për të vetëpunësuarit dhe taksë të papërfillshme mbi trashëgiminë.
Ndërkohë, punëtorët me pagë të ulët në Itali humbasin më shumë nga pagat e tyre bruto nga taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, sesa në çdo vend tjetër të BE-së, tregojnë të dhënat e Komisionit Europian.
Shumica e investimeve financiare tatohen nga 12.5% deri në 26%, qiraja e pronës mund të tatohet me një normë fikse prej 21%, dhe nuk ka taksë për shtëpitë e para.
Të vetëpunësuarit, një bazë mbështetëse për qeverinë e djathtë të Melonit, mund të paguajnë vetëm 15% mbi të ardhurat vjetore deri në 85,000 euro, ndërsa brezi më i lartë i taksave prej 43% për punonjësit e pagave zbatohet për të ardhurat mbi 50,000 euro në vit.
Pesëdhjetë vjet më parë, norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat në Itali, e zbatuar për ata që fitonin më shumë, ishte 72%.
Barra e klasës së mesme
Si rezultat i këtyre shtrembërimeve, njerëzit që fitojnë nga 29,000 deri në 75,000 euro në vit, të cilët përbëjnë 21% të taksapaguesve, kontribuojnë më shumë se 40% të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat, tregojnë të dhënat e Thesarit.
Taksa e trashëgimisë jep vetëm 1 miliard euro në vit, krahasuar me rreth 18 miliardë në Francë dhe 9 miliardë në Gjermani dhe Britani.
Qeveria, nën presionin për të lehtësuar barrën e shtresave të shtresës së mesme, po përpiqet të gjejë 2.5 miliardë euro në buxhetin e saj të vitit 2025, për të ulur taksat për ata që fitojnë 50,000-60,000 euro.
Meloni nuk tregoi synimin për të gjetur paratë te shtresa e lartë e Italisë, megjithëse kohët e fundit ajo dyfishoi një “taksë të sheshtë” të kontestuar mbi të ardhurat e fituara jashtë vendit, e cila synon të tërheqë milionerët në vend.
Qeveria argumenton se taksat e sheshta, ose skema të ngjashme si norma e vetme 15% për të vetëpunësuarit, thjeshtojnë sistemin dhe ndihmojnë në uljen e evazionit fiskal.
Santoro kërkoi një taksë mbi pasurinë e zotëruar nga 1%, ose edhe vetëm 0.1%, që mund të jepte deri në 12 miliardë euro në vit.
Grupi i parë arrin në rreth 500,000 njerëz, që zotërojnë asete mbi 2 milionë euro, ndërsa 0,1% e më të pasurve të Italisë arrin në 50,000 njerëz me pasuri mbi 15 milionë euro.
Reuters