Gjykata Kushtetuese shumë shpejt pritet të dalë me një vendim se çfarë do të ndodhë me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta nga detyra. Më 14 qershor, Kuvendi dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shkarkimin e presidentit.
Sipas ligjit Kushtetuesja ka 3 muaj afat për shqyrtimin e dosjes dhe më pas merr vendim nëse do kalojë apo jo në seancë dhe nëse po, kjo pasohet me një datë konkrete për nisjen e gjyqit. “Shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, me përjashtim të rasteve kur ky ligj përcakton afate të tjera. Në çdo rast bisedimet dhe marrja e vendimit nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve bëhet mbi bazën e projektvendimit të përgatitur nga relatori.
Shqyrtimi i çështjes në seancë plenare bëhet pasi të jenë depozituar paraprakisht nga palët të gjitha materialet e nevojshme për gjykim, si dhe çështja të jetë përgatitur në tërësi nga relatori i çështjes. Relatori i çështjes paraqet në bisedime projektvendimin përkatës, mbi të cilin votojnë të gjithë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në nenin 47 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Sipas llogarive sot mbaron afati 3 mujor dhe Kushtetuesja duhet të marrë një vendim. Gazeta foli me disa juristë të njohur, të cilët njëzëri u shprehën se gushti është muaj pune dhe kjo do të thotë se afati ligjor është përmbushur.
Tani Kushtetuesja duhet të vendosë nëse do e kalojë ose jo në seancë plenare dosjen. Nëse po, pritet që të përcaktohet dhe një datë për nisjen e gjyqit. Kujtojmë që pak ditë më parë gazeta bëri me dije se gjyqtari Përparim Kalo është caktuar nga Gjykata Kushtetuese si relator për çështjen e shkarkimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Kalo u zgjodh në Kushtetuese nga vetë kreu i shtetit në dhjetorin e vitit të kaluar, duke treguar se sa ironik është fati, pasi ai që mori pëlqimin e Metës ka në dorën dosjen e këtij të fundit.
Plotësimi i Kushtetueses
Sipas ligjit, nëse Kushtetuesja mbyll shqyrtimin dhe vendos kalimin në seancë plenare, data për nisjen e gjyqit duhet të jetë një muaj para nisjes së procesit. Pra sinjalet janë se në tetor mund të kemi zhvillime në këtë aspekt. Por deri atëherë sinjalet janë se Kushtetuesja mund të jetë plotësuar me 9 anëtarë. KED po vijon verifikimin e kandidatëve për 3 vakancat e fundit, ndërsa KLGJ pritet që të emërojë anëtarin e dhjetë të Gjykatës së Lartë duke i dhënë fund ngërçit. Një dosje tjetër që pritet në tetor është edhe ajo e zgjedhjeve vendore, pasi Venecia në tetor mblidhet për të shqyrtuar kërkesën.
Raportet Rama-Meta
Teksa Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë me kërkesën e Kuvendit, lëvizjet e presidentit kanë qenë të dyshimta. Së pari ai vlerësoi emërimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi dhe kërkoi bashkëpunim mes dy institucioneve. Nga ana tjetër dekretoi Ramën si kryeministër, duke njohur në këtë mënyrë zgjedhjet e 25 prillit. Por teksa dukej sikur raportet mes tyre janë qetësuar, Meta dy ditët e fundit ka dhënë sinjale se mund të bllokojë disa prej anëtarëve të qeverisë së re. Ai ka dërguar shkresa në institucione, sidomos në prokurori ku kërkon të identifikojë personat me precedentë penalë. Sinjalet janë se në prag të vendimit të Kushtetueses, mund të kemi një tjetër konflikt Rama-Meta.