Lajmet se Roven Zeka, një drejtues i Komisariatit Rrugor në Tiranë, është shoqëruar për mitmarrje, prej tre ditësh mbushin portalet shqiptare. Flitet vetëm për të.
Në fillim, u mor e mirëqenë që mund t’i kishte ndodhur ndonjë incident, siç ndodh rëndom me policët e qarkullimit në Shqipëri.
Por, sa më shumë lexoje lajmet, aq më shumë nuk shpjegohej historia.
Flitej për një grua të “fuqishme”, bashkëshorte biznesmeni, që kishte korruptuar policin dhe ky kishte marrë lekë.
Më pas, pak nga pak, doli që burri i kësaj gruaje i kishte dhënë 1 mijë euro një polici të qarkullimit, dhe ai i kishte thënë: “dua edhe 1 mijë të tjera për ata lart”.
Emri i Rovenit nuk ishte askund. As në komunikimet e tij, as në komunikimet e tjera nuk rezulton që ai të ketë marrë lekë apo të ketë kërkuar lekë.
Megjithatë, linçimi vazhdoi, dhe të gjitha portalet botuan fotografinë e tij nën titujt për “bandën e qarkullimit rrugor që ka marrë lekë”.
Në fund, del që akoma nuk ka asnjë provë që ai të ketë kërkuar, pranuar apo qenë i përfshirë në ndonjë histori ryshfeti në këtë ngjarje banale.
Ndërkohë, portalet vazhdojnë të botojnë fotografinë e tij dhe të shtrembërojnë historinë duke e paraqitur si të përfshirë në marrje parash.
Ky është një linçim i drejtuar.
Uroj të mos vijë nga brenda SPAK, për ndonjë mëri mes policësh apo prokurorësh për pazaret e tyre të vjetra. Por është qartazi një fushatë e orkestruar ndaj tij.
Dhe këtu është më interesante të hetohet: përse në qendër të linçimit është vënë dikush që nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe i del vetëm atij emri, ndërsa të tjerët përmenden si personazhe me iniciale?
Kjo ose është një luftë e brendshme klanesh në polici, ose një fushatë e dirigjuar nga prokuroria kundër tij apo eprorëve të tij. Por vetëm luftë kundër korrupsionit nuk është.