GJKKO ka hedhur poshtë pretendimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ditën e sotme publikoi procesverbalin i cili tregon bisedën me tone të larta brenda gjykatës, ditën kur iu caktua masa e sigurimit “arrest në burg”.
Veliaj pretendoi se prokurori i çështjes Ols Dado i është drejtuar me gjuhë fyese, duke e quajtur ndyrësirë dhe e gjitha kjo në prezencë të gjyqtarit të çështjes, Erion Bani.
Në reagimin e saj, GJJKO thotë: “… në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë. Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”.
Por avokatët e zotit Veliaj kanë zbardhur debatin nga audio që kanë marrë nga Gjykata dhe pretendojnë se Olsi Dado e ka thënë fjalën ndyrësirë.
Nëse Gjykata ka manipuluar audion e regjistruar atëhere mund të jemi para një skandali të ri dhe më të rëndë.