Qeveria po planifikon dhënien me koncesion të menaxhimit dhe mbledhjes së borxheve të bizneseve të vogla të të mesme me arsyetimin se administrata tatimore e ka të pamundur që ta realizojë këtë detyrë, për të cilën paguhet nga qytetarët.
Diskutimet në Ministrinë e Financave kanë nisur prej disa javësh dhe sipas një propozimi fillestar, siç thonë burimet e Voxnews.al, kompania private që do të fitojë koncesionin do të përfitojë 70 për qind të detyrimeve të prapambetura të mbledhura nga bizneset, ndërsa vetëm 30 për qind do të përfundojnë në buxhetin e shtetit.
Burimet thonë se për t’u siguruar që do të mbledhë borxhet, draft-kontrata parashikon që firma koncesionare të ketë mbështetjen me kërcënime e presione nga Policia e Shtetit, Policitë Bashkiake dhe institucionet që kanë kompetencë gjobat dhe bllokimin e aktivitetit të bizneseve.
Gjithashtu, ka një debat që në këtë koncesion të përfshihet edhe shërbimi i hetimit tatimor, një kompetencë ekskluzive shtetërore, që asnjë qeverie, ministri e administratë e mëparshme, sado e korruptuar të ketë qenë nuk ka guxuar t’ja japë privatit. Kjo do ta bëntë Shqipërinë vendin e vetëm që do të privatizonte këtë.
Burimet thonë se ka dyshime se pas këtij propozimi qëndron kompania guackë M.POS Limited, e regjistruar në Hong-Kong dhe që dyshohet se pas të cilës qëndron Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit Edi Rama.
Koncesioni miliona eurosh i sistemit të tatimeve
Në janar të 2016-s, Qeveria njoftonte planin për dhënien me koncesion të sistemit të administrimit të tatimeve. Sipas arsyetimit që jepej në atë kohë, “bashkëpunimi me privatin bëhej për të ngritur një platformë elektronike që do të gjurmojë mallrat në kohë reale nga doganat deri në transaksionin e fundit te konsumatori.
Pra, ideja ishte që po i jepej privatit një koncesion 10-vjeçar që përllogaritej në atë kohë me një fitim të garantuar thuajse 1 mln euro në vit nga shteti dhe një fitim maksimal përgjatë të gjithë periudhës së koncesionit prej 170 mln eurosh.
“Marrja e këtyre të dhënave në kohë reale, instalimi i faturës elektronike, e cila është një kërkesë bashkëkohore që ndihmon administratën tatimore në punën e saj të përditshme, (por është edhe një kërkesë e biznesit sepse ul edhe kostot e të bërit biznes); gjurmimi i mallit dhe edhe mundësia e Lotarisë së Kuponit tatimor në kohë reale, mendojmë se do të jenë elementët bazë të një platforme, që do të ndihmojë administratën tatimore, jo vetëm në mbledhjen më të mirë të taksës së TVSH-së (ose ndryshe taksës së qarkullimit), por do të çojë në një përmirësim direkt edhe të deklarimit të sigurimeve shoqërore, në një përmirësim indirekt edhe të deklarimit të TAP, apo edhe të tatimit mbi fitimin”, deklaronte më 20 janar 2016 në parlament, Irena Beqiraj, në atë kohë zv.ministre e Financave.
Sipas Beqirajt, koncesioni do të mbartte një kosto të investimit fillestar prej 9.57 milionë euro dhe kosto operative vjetore prej 8.2 milionë eurosh dhe kontrata koncesionare do të vijojë për dhjetë vjet.
Shefi i saj në ministri në atë kohë, Shkëlqim Cani ishte skeptik për koncesionin, duke shmangur komentin personal për të. Ai u largua pa dhënë mendimin e vet. Pa mbushur një muaj nga ky prezantim në Kuvend i koncesionit, Shkëlqim Cani u largua nga Qeveria dhe ai u zëvendësua nga Arben Ahmetaj.
Largimi i tij u lidh edhe me kundërshtimin që u tha se i bëri këtij koncesioni. Cani e mbështeste koncesionin deri në momentin që ai nuk i jepte kompanisë private që do ta fitonte akses në mbledhjen e TVSh-së, apo të ardhura shtesë nga përmirësimi i përformancës së TVSh-së. Në vend të kësaj, Shkëlqim Cani, sipas zërave që qarkulluan në 2016-të e konsideronte pagesën prej rreth 1 mln eurosh në vit dhe koston operative prej 8.2 mln eurosh si të mjaftueshme për kompaninë.
Por, për kompaninë propozuese të këtij koncesioni të pakërkuar, që ishte kompania guackë e regjistruar në Hong Kong, M.POS Limited dhe pas të cilës dyshohej se qëndronte Olsi Rama jo.
Sipas kushteve të përgatitura nga Ministria e Financave, duke u bazuar në studimin e parqitur nga kompania, koncesionari do të marrte një pagesë fikse për koston fillestare prej 9.57 milionë euro për 10 vite, e cila do të jetë amortizimi i sistemit për dhjetë vjet, ose 957 mijë euro, si dhe një tarifë suksesi në rast se të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar që mblidhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të rriten me më shumë se 11 për qind në vit.
Nga ky parashikim, 11 për qind në vit është rritja e të ardhurave nga TVSH që tatimet e realizojnë në kushtet aktuale, ndërsa në rast se kjo rritje do të bëhet, falë kontratës koncesionare, 12 apo 13 për qind, të ardhurat shtesë mbi rritjen fillestare 11 për qind do të ndahen mes qeverisë dhe kompanisë. Kontrata parashikonte gjithashtu rrezik zero për kompaninë, që në rast se dështonte kishte të garantuar tarifën fikse të kostos të investimit, që më vonë u akuzua si e fryrë.
Këto parashikime besohet se kundërshtonte Shkëlqim Cani, megjithëse ky i fundit nuk i shprehu kurrë publikisht. Ai i druhej se ky parashikim do të rriste kostot për bizneset, që deri në atë periudhë kishin paguar brenda 10 viteve tre herë për ndryshimet e kasave dhe të sistemeve fiskale.
Ai u largua dhe në vend të tij erdhi Arben Ahmetaj, që me ‘mjeshtëri’ deklaronte se kostot e koncesionit për biznesin do të ishin zero, madje më vonë do të deklaronte edhe se të gjithë koncesionet dhe PPP-të, nuk janë paratë e qytetarëve, por të buxhetit të shtetit.
Kush qëndron pas koncesionit?
Propozimi i pakërkuar në Ministrinë e Financave kishte mbërritur nga kompania guackë “M.POS Limited”, e regjistruar në Hong Kong. Megjithatë, BIRN zbuloi në 2016-n se partneri lokal i M.POS Limited është një kompani shqiptare e quajtur MCN Sh.pk, pronari i së cilës, Endri Meksi ishte gjithashtu ortak në një kompani tjetër të regjistruar në Tiranë me vëllain e Kryeministrit, Olsi Rama.
Informacioni për përfshirjen e MCN në koncesionin e TVSH-së është mbajtur sekret nga Ministria e Financa, e cila e pyetur disa herë nga BIRN ka dhënë vetëm emrin e partnerit të saj nga Hong Kong, M.POS Limited.
Lidhja e Olsi Ramës me kompaninë që po kërkon koncesionin me një vlerë mbi 100 milion dollarë, siç pretendonte BIRN në atë kohë, ngre pikëpyetje lidhur me konflikt të mundshëm interesi në qoftë se kjo kompani do të shpallet fituesi i tenderit ndërkombëtar që pritet të mbahet nga qeveria shqiptare.
Endri Meksi, pronar dhe administrator i MCN, nuk komentoi në atë kohë. Por, kreu M.POS Holding Limited, Allen Cheng, i tha BIRN nëpërmjet postës elektronike, se partneri i tij në Tiranë ishte pikërisht kompania MCN, dhe është kjo kompani që i ka drejtuar negociatat me qeverinë shqiptare. /voxnews.al