James Mattis, sekretari amerikan i mbrojtjes është pritur sot në Shkup si mos më keq.
Mattis pati sot një vizitë në Maqedoni, e cila do të mbahet mend gjatë si një skandal në historinë e pritjeve zyrtare.
Në videon e shpërndarë nga mediat maqedonase duket qartazi mungesa e organizimit, pasi në momentin kur avioni i SHBA-ve mbërrin në aeroport dy ushtarakë rregullojnë dhe fshijnë tapetin e kuq në momentin e fundit kur zyrtari i lartë amerikan zbret në tokën maqedonase.
Gjithashtu vihet re që dy ushtarët maqedonas nuk denjojnë as të përshëndesin sekretarin Mattis, i cili është një nga autoritetet më të lartë ushtarakë në SHBA.
Por, ky nuk është rasti i parë. Ditë më parë delegacioni i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati u gjet në Kuvendin e Maqedonisë thuajse në një udhëkryq, pa u pritur nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Skandali i njëjtë ndodhi edhe gjatë vizitës së kancelarit austriak Sebastian Kurc ku protokolli i Qeverisë ngatërroi flamurin austriak.
Për t’u siguruar se shërbimet nuk kanë gabuar, gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Shkup, kryeministri Zoran Zaev verifikoi personalisht flamurin gjerman.