Fiks Fare investigoi në lidhje me privatizimin e kabinave të plazhit në Divjakë, ku tregoi me fakte historinë e korrupsionit që ka nisur vite më parë dhe përfundoi me shpejtësi në shtator të 2013, kohë kur u ndërrua qeveria.
Shpejt e shpejt u firmosën katër kontrata që tjetërsuan plot 1/3 e truallit me kabina dhe godina në plazhin e Divjakës.
Nga ana tjetër edhe pushteti vendor ka shkelur ligjin para se t’u hiqej e drejta e pronësisë me VKM duke i dhënë këto prona me qira pa vendim të këshillit bashkiak. Gjithçka ka nisur në vitin 2006 ku qeveria me një vendim i kaloi Bashkisë Divjakë në administrim dhe pronësi 723 pasuri, ku 33 prej tyre ishin në zonën e plazhit.
Menjëherë nisën asokohe shkeljet e para, ku kryetari i Bashkisë Divjakë lidh 28 kontrata afatgjata qiraje me subjekte të ndryshme pa vendim të këshillit bashkiak.
Kontratat u lidhën me afat të gjatë nga 10 deri në 20 vjet. Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të këtij skandali. Në vitin 2013 në kohën kur po bëhej ndërrimi i qeverisë dhe ministrave, Ministria e Ekonomisë privatizon 6 pasuri në plazhin e Divjakës, pa pyetur pronarin që në rastin konkret ishte bashkia.
I pyetur nga Fiks Fare këtë e pohoi edhe nënkryetari i Bashkisë Divjakë Avdi Snalla, i cili u shpreh se bashkia nuk ka qenë kurrë dakord për privatizimin e kabinave të plazhit dhe ky privatizim u bë nga ana e ministrisë pa i vënë fare në dijeni Bashkinë Divjakë. Madje me të drejtë nënkryetari Snalla ngre pyetjen ” Se si u ndryshua pronari në hipotekë pa u pyetur pronari i mëparshëm ne nuk e kuptojmë”.
Si u bë privatizimi
Fiksi u interesua në hipotekën e Lushnjes, për të kuptuar se kush ka firmosur për shitjen, dhe aty mësuan se ajo është firmosur nga Drejtoria e Administrimit të Pronave dhe nga një përfaqësues i prefekturës.
Bashkia në këtë privatizim nuk kishte asnjë përfaqësues, pasi ajo ishte në kundërshtim me privatizimin sepse vilte të ardhura nga këto prona si rezultat i dhënies së tyre me qira.
Në këto kushte Fiksi iu drejtua Prefekturës Fier, ku prefekti Baki Bala deklaroi se përfaqësuesi i prefekturës është dërguar me kërkesë të Drejtorisë Administrimit të Pronave e bazuar në vendimin nr 428, datë 09.06.2010.
Në këtë vendim thuhej që për privatizimin duhej ngritur një komision, i cili në përbërje do të kishte përfaqësuesin e ndërmarrjes apo institucionit, në administrim të të cilit ndodhet objekti, pra bashkisë.
Vendimi i dytë që shmang prapë bashkinë si palë është ai i vitit 2011, ku qeveria ndryshoi vendimin e vitit 2010, vetëm pak kohë para se të ndryshohej pushteti.
Pikërisht në 30 maj 2013, qeveria ka nxjerrë një vendim tjetër ku deklaron se në rast se pushteti vendor nuk dërgon përfaqësuesin si anëtar i komisionit të vlerësimit, ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore i kërkon prefektit të përcaktojë një përfaqësues.
Siç u bë edhe në rastin në fjalë ku qeveria shmangu Bashkinë Divjakë për privatizimin e kabinave të plazhit. Dhe i gjithë privatizimi i pronës u krye brenda një jave.
ZRPP kallëzim penal, prokuroria pushon hetimin.
Për këtë skandal të tjetërsimit të pronave shtetërore në kohën kur ndërroheshin qeveritë dhe pas ankesës së Bashkisë Divjakë se si u tjetërsua kjo pronë, ZRPP nisi një hetim të brendshëm.
Nga ky verifikim ka rezultuar se dy punonjës të ZVRPP-së Lushnje që kanë tjetërsuar pronësisë e Bashkisë Divjakë kanë shkelur ligjin dhe kanë abuzuar me detyrën për disa fakte.
Për ndryshimin e pronësisë duhet të ishte se s’bën kontrata e shitblerjes e firmosur nga Bashkia Divjakë, gjë e cila nuk ekziston, plus nga ky verifikim rezultoi se dorëzimi i pronave është bërë para se të lidheshin kontratat e shitblerjes.
Për këto shkelje ZRPP bëri kallëzim penal për dy punonjësit që bënë tjetërsimin e pronës, por ky hetim u pushua nga prokuroria, me argumentin se nuk ka vepër penale. Në këtë mënyrë prokuroria mbylli përfundimisht skandalin me shitjen e kabinave të plazhit në Divjakë.
Fiks Fare iu drejtua edhe Ministrisë së Financave në lidhje me skandalin e tjetërsimit të pronave, por që nuk mori asnjëherë një përgjigje zyrtare. /Top Channel