Skandali me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit rrezikon të fundosë edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme.
Pavarësisht se shumë funksionarë janë shprehur se nuk kanë përgjegjësi, dëshmitë e të akuzuarve dhe personave që kanë dijeni mbi ngjarjen bënë të ditur se zyrtarë të lartë rrezikojnë të fundosen. Sipas burimeve, SPAK ditën e sotme do të ballafaqojë
personat e pandehur dhe ata që janë marrë në pyetje për shkak se deklarimet e tyre nuk janë përputhur teksa kanë akuzuar njëri-tjetrin po dhe zyrtarë të policisë si dhe ministrisë. 9 të akuzuar kanë paraqitur pretendimet e tyre duke mohuar përgjegjësinë penale sa i përket përfitimit nga ky tender.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë deklaruar përpara hetuesve se përgjegjësia është edhe e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme. Sipas deklaratave të tyre, zyrtarë nga Ministria e Brendshme kanë patur dijeni për tenderin që kushtoi 28 milionë euro nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër përveç zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme ka dyshime se mund të jenë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit.
Kujtojmë se SPAK pak kohë më parë ka marrë në pyetje ish-drejtuesen e prokurimit në Ministrinë e Brendshme, Flutura Çekrezi e cila aktualisht është duke kryer dënimin me burg për skandalin me tenderin. Çekrezi ka deklaruar se çmimet dhe të gjitha specifikimet janë caktuar nga Policia e Shtetit duke shtuar dyshimet se në skandalin me tenderin e uniformave të policisë ka të përfshirë përtej Ministrisë së Brendshme. “Kemi zbatuar vetëm ligjin dhe të gjitha specifikimet dhe çmimet i ka caktuar Policia e Shtetit. Shkresa 55 e tregon këtë gjë. Autoriteti kontraktor e ka patur detyrë specifikimin teknik dhe vendosjen e fondit limit, pra policia e ka këtë përgjegjësi jo ne”, mësohet të ketë thënë Çekrezi.
SPAK vijon hetimet për tenderin
Kujtojmë se deri më tani sa i përket kësaj çështjeje, janë 9 persona nën hetim, por SPAK pak ditë më parë vendosi të rimarrë në pyetje personat që u morën me tenderin për shkak se ka dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë. Inxhinieria Aurora Mulla ishte ajo e cila vuri re e para se diçka nuk shkonte me tenderin duke refuzuar kështu firmosjen e dokumenteve.
Ajo u thirr përsëri nga SPAK pak ditë më parë për të dhënë më shumë detaje mbi shkeljen në këtë tender. Kujtojmë se edhe anëtari tjetër i komisionit të vlerësimit të ofertave Ylber Pjetërnikaj zbuloi probleme me tenderin duke e kundërshtuar firmosjen e tij pasi hasi mungese dokumentacionesh sa i përket certifikatës përkatëse për prodhimin e këpucëve për efektivët.
Ndërkohë edhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari është një nga emrat e zyrtareve që është nën hetim nga SPAK. Megjithatë SPAK po bën çmos që me anë të personave që janë aktualisht nën hetim, të nxjerrin pista të reja për të arritur tek zyrtarë më të lartë të përfshirë, pasi janë konstatuar shkelje të rënda të rregullave të prokurimit të tenderit./Sot/ ALEKSANDRA HOXHA/