Dhjetëra persona kanë rënë pre e mashtrimit nga kompanitë e borxhëve MCA dhe ACDA, të cilat përmes shkresave fiktive, u kërkojnë qytetarëve të paguajnë “borxhet e prapambetura dhe kreditë e pashlyera”.
Qytetarë në masë kanë marrë telefonata nga këto “kompani borxhmbledhëse” që u kërkojnë shlyerje kredish të vjetra bankare, detyrime të kompanive telefonike, apo të institucioneve të mikrokredisë. Telefonata u është shfaqur në numrin personal; në celularët e familjarëve, pa dallim – të moshuar apo të mitur, në qendrën e punës, në rrethin shoqëror dhe farefisnor, telefonata i ka përndjekur në ëhatsapp deri dhe jashtë shtetit.
Mashtrimi kriminal i shoqërive të vogla kredidhënëse është denoncuar nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë si dhe nga dhjetëra qytetarë që po terrorizohen dhe përndiqen vazhdimisht, përmes të gjitha mënyrave të komunimikimit.
“Me qindra qytetarë kanë marrë shkresa, ku në emër të ligjit shantazhohen me njoftime apo lajmërime me karakter mashtrues si është titulli “Njoftim për bllokimin në gjykatë të pagës së palës debitore”. Tipologjia e shprehjeve me karakter ekzekutues përmbarimor përdoret gjerë në këto shkresa, ku në pjesën dërrmuese nuk shënohet fare emri dhe mbiemri i dërguesit, nënshkrimi dhe adresa e tij. Shkresat pothuajse anonime mbështeten vetëm mbi akronime të shoqërive që nuk janë zyra përmbarimi.
Telefonatat dhe shkresat që dalin nga e njëjta skemë shoqërish të lidhura me njëra-tjetrën, përdorin emrin dhe atributet e përmbaruesit për të impresionuar dhe shantazhuar qytetarët e thjeshtë dhe për t’i bërë ata, viktima të borxheve dhe detyrimeve të paqena”, denoncon Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Mijëra familje në nevojë kanë menduar se prapa këtyre shkresave dhe telefonatave qëndron shteti, me një përmbarues që do vijë t’u sekuestrojë pagën, shtëpinë, makinën, apo biznesin.
Duke menduar se kanë të bvëjnë me shtetin, shumë qytetarë kanë rënë pre e kësaj skeme të mashtrimit publik, duke paguar borxhe ose detyrime financiare që nuk u përkasin, apo që nuk i korrespondojnë detyrimit real.
Disa qytetarë kanë pranuar publikisht se janë mashtruar nga kompanitë e borxheve MCA dhe ACDA. Njëri, i identifikuar si Niki shkruan se edhe pse e kishte mbyllur kredinë prej dy vitesh ka marrë shkresa të tilla.
“Janë të frikshem !Kemi dy vjet të mbyllur kredinë dhe ne na sollën si kjo letër .Pa firmë pa vule pa adresë dhe më kryesorja me një numër vendimi që nuk ekzistonte fare .Te shohim prokuroria do hetojë për këto çështje apo do i pushojë çështjet si gjithmone”, shkruan qytetari.
Një tjetër qytetar kërkon reagimin e institucioneve dhe nisjen e hetimeve për “këto zyra mashtruesish”.
“Ndoshta mund të bëhet një akt-konstatimi (nga përmbarusit) në këto zyra mashtruesish”, shkruan qytetari.
Institucionet përgjegjëse shtetërore duhet të reagojnë menjëherë dhe të marrin masa për të mbrojtur qytetarët shqiptarë nga këto skema të mirëfillta mashtrimi, që mund të krijojnë pasoja të rënda sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për një kategori të gjerë vulnerabël qytetarësh, të cilët janë futur në marrëdhënie detyrimi për shuma minimale mbijetese e mbulimi të halleve të përditshme.
Fenomeni i bërjes së “përmbarimit” me telefon ose me shkresa që s’kanë asnjë lidhje me shërbimin përmbarimor gjyqësor – është intensifikuar në përmasa të tilla që, tashmë ka dalë jashtë kontrollit shtetëror.
Dhoma e Përmbaruesve u kërkon qytetarëve që të tregohen vigjilentë, që të mos bien pre e telefonatave, komunikimeve apo njoftimeve mashtruese shkresore, pa adresa, pa emra apo identitete, pasi ato nuk kanë asnjë vlerë ligjore, por t`i denoncojnë menjëherë ato, në organet policore, Prokurorinë e Shtetit ose pranë Dhomës së Përmbaruesve./Gazeta SHQIP