Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet për skandalin me tenderin e uniformave të policisë. Deri më tani janë 9 persona nën hetim, por dyshimet janë se mund të kemi persona të tjerë të përfshirë dhe prokurorët kanë vendosur të rimarrin edhe një herë në pyetje personat që u morën me tenderin.
Personi i cili hodhi dritë mbi skemën abuzuese ishte Aurora Mulla, inxhinieria tekstile, e cila nuhati e para që bëhej fjalë për një tender abuziv. Ajo refuzoi të firmoste dokumentet, ndërsa edhe para prokurorëve të SPAK ka rrëfyer me detaje shkeljet. Por ajo është thirrur sërish para hetuesve dhe sot do të rimerret në pyetje për tenderin në fjalë.
Prokurorët kanë zbuluar elemente të tjerë gjatë hetimeve dhe inxhinierja pritet të hedhë dritë. Por nga ana tjetër edhe ajo vetë është person në hetim, pasi edhe pse nuk ka firmosur ka marrë pjesë në proces. Po ashtu prokurorët kanë thirrur për t’u pyetur anëtari tjetër i komisionit të vlerësimit të ofertave Ylber Pjetërnikaj. Edhe ky i fundit zbuloi probleme me tenderin në fjalë.
Ai e kundërshtoi tenderin sepse konstatoi se bashkimit të operatorëve i mungonte certifikata përkatëse për prodhimin e këpucëve për efektivët e Policisë së Shtetit. Edhe në dëshminë që ka dhënë ai ka thënë se duhej të bëhej skualifikimi i tyre nga gara sepse nuk plotësonin një element kyç. Sipas burimeve, shpresat e prokurorëve janë që të shkojnë më lart se emrat e akuzuar deri tani, pasi dyshimet janë se ka dhe drejtues të lartë të përfshirë në këtë tender.
E vetmja që mund të quhet si zyrtare e rëndësishme e akuzuar është ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari. Sinjalet janë se SPAK po tenton të bindë vartësit që të dëshmojnë kundër drejtuesve të tyre, duke shkuar kështu te “peshq” pak më të mëdhenj.
Skandali i uniformave
Siç tregohet në dosjen e SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës. Një tjetër pikë problematike është fakti se në një nga tenderat thuhej se 35 milionë lekë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave, që nuk u realizua kurrë. Ky lot i tenderit nënkuptonte që çdo punonjës policie të ishte i pajisur me një kartë që të mund të tërhiqte uniformën e tij, por asnjë prej efektivëve nuk e pati një të tillë dhe paratë e caktuara në tender janë përvetësuar pa të drejtë nga ana e kompanisë.
Më 10 korrik u arrestuan ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj, anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.
Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë “zbërthyer” skemën e abuzimit me tenderin.
Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar me uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.