Autoritetet turke njoftuan sot arrestimin e një prej shumëtëkërkuarve jo vetëm nga autoritetet shqiptare, Dritan Rexhepi
I arratisur katër herë nga burgjet, me disa dënime të rënda dhe identitete të rreme, i akuzuar për vrasje policësh, rrëmbimin e Jan Prengës me urdhër nga burgu e trafik ndërkombëtar droge, ky është Dritan Rexhepi, 43 vjeç, i arrestuar së fundi nga policia turke.
Ka lindur 10 prill 1980 në fshatin Velçë të Vlorës, dhe ka përdorur edhe emrat Lulëzim e Gramoz por edhe Dionisopoulos Rexhepi.
Në vitin 2004 ka ndryshuar emrin nga Gramoz në Dritan, ndërsa në datën 20 mars 2004, ka vjedhur e ka nisur të përdorë identitetin e shtetasit Lulëzim Murataj, banor i Komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë, i dënuar në Angli.
Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Atëherë u cilësua si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Pas asaj ngjarje, u arrestua në vitin 2007 në një operacion të forcave speciale në një hotel në qendër të Tiranës dhe u transferua në policinë e Durrësit.
Nga viti 2005, deri në këtë kohë, i riu nga Vlora ishte regjistruar si student në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.
Pasi u mor në pyetje nga prokurori, u arratis nga paraburgimi i Durrësit teksa po nxirej nga qelia për ti bërë fotografitë. Me akuza të reja mbi supe, Dritan Rexhepi u shpall në kërkim por policia shqiptare nuk ra në gjurmët e tij derisa në vitin 2013 u arrestua në Itali.
Shqipëria filloi procedurat për të nisur dosjen me qëllim ekstradimin, por mori si përgjigje njoftimin se i kërkuari nuk gjendej pasi ishte arratisur nga burgu i Vogheras në Itali, duke sharruar hekurat e qelisë.
I shpallur në kërkim tashmë nga dy shtete, Dritan Rexhepi u bë objekt i Interpolit që filloi gjurmimin e tij dhe e arrestoi në Spanjë, për ta ekstraduar në Belgjikë ku ishte vendosur në burgun Merksplas. Edhe aty, shqiptari i shumëkërkuar bëri atë që dinte më mirë, arratisjen dhe largimin në drejtim të paditur, pasi arriti të dalë nga ambientet e burgut duke kapërcyer murin rrethues.
Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar me gjeneralitetet Lulëzim Murataj në datën 28 nëntor dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikë kalimi dhe hyrja e fundit e tij është në datën 16 nëntor 2013. Kjo kohë përkon me kthimin e Dritan Rexhepit në një super-bos të krimit ndërsa në qershor të vitit 2014 Interpoli njoftoi kapjen e tij në Ekuador.
Asokohe 34 vjeç, ai ra në pranga gjatë një operacionit “Balance” në të cilin u sekuestruan rreth 278 kg kokainë që po trafikohej me një numër shtetasish shqiptarë dhe të huaj.
Nga verifikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.
Arrestimi në Ekuador nuk e pengoi Dritan Rexhepin në aktivitetin e tij kriminal, pasi dyshohet se nga burgu drejtonte aktivitetin e rrjetit ku bënte pjesë në disa shtete. Në vitin 2016, Rexhepi u përgjua nga autoritetet italiane teksa fliste me një shpërndarës droge që kërkonte që ata të krijonin markën e tyre në këtë aktivitet. Nga burgu, ai propozoi emrin “Bello” dhe më pas, aktiviteti kriminal i tyre u njoh me emrin “kompania Bello” duke zënë gjithnjë e më shumë vend në qarkullimin ndërkombëtar të drogës nga vendet e origjinës drejt BE-së.
Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në burgun e sigurisë së Lartë në Ekuador, Rexhepi ka mbajtur telefon në qeli ku besohet se prej aty, porositi e drejtoi trafikimin e 283 kg kokaine nga porti Guajakil i Ekuadorit ne portin e Portsmuthit ne Angli. Kjo sasi droge u grabit nga një kontejneri me banane në Angli dhe kjo ngjarje, dyshohet se u bë shkak për rrëmbimin e Jan Prengës, babai i tre fëmijëve me urdhër të Rexhepit, në 17 janar 2020 në Kamëz.
Pesë ditë pas pengmarrjes në Tiranë, disa biseda të përgjuara nga burgu ku ndodhej Rexhepi e ekspozuan atë në komunikim me vëllain e Jan Prengës në Angli ku thuhet se njerëzve të trafikantit në Angli u janë kthyer 106 kg kokainë dhe 700 mijë paund, pjese e ngarkesës së drogës të grabitur në Portsmuth. Gjurmët e fundit të Jan Prengës janë në një kompleks në Shijak ku besohet se është keqtrajtuar ndërsa trupi i tij nuk është gjetur asnjëherë.
Në vitin 2021, Ekuadori e liroi nga burgu me kufizimin për të mos dalë jashtë vendit, por shpejt, Dritan Rexhepi, i quajtur edhe si mbreti i kokainës apo mjeshtri i arratisjeve, humbi gjurmët dhe nuk u gjet më nga policia deri pak ditë më parë në 8 nëntor kur u arrestua nga policia turke.