Nga Enver Metalla
Një shprehje e urtë thotë se “kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda”.
Ky është rasti tipik i asaj çfarë ka ndodhur me deputetin demokrat Ervin Salianji. Deputeti i cili publikoi një audiopërgjim, që sipas hetimeve të prokurorisë rezultoi i montuar dhe fals, sot ka rënë me kokë në gropën që hapi për kundërshtarët e tij politikë.
Pasi Prokuroria zbuloi se Fredi Alizoti kishte imituar zërin e vëllait të Ministrit Xhafaj në audiopërgjimin e publikuar nga Salianji, ky i fundit, i zënë ngushtë përballë fakteve nxitoi të publikonte një “dëshmi” të re të Alizotit, ku ai ndryshon version, duke thënë se ishte ftuar nga socialistët që të bëhej me ta.
Shfaqja e Alizotit në një video të re, që bie sërish në dorë të Salianjit është drejtëpërdrejtë pohimi se ai paska qënë “Agroni” i audiopërgjimit. Kjo rrëzon gjithë skenarin e Salianjit për një pazar të pisët droge nga Agron Xhafaj.
I panikuar nga provat e Prokurorisë, Salianji nxitoi ta publikonte videon e Alizotit pa marrë parasysh sa i besueshëm mund të jetë në media një njeri që ka kryer një krim, duke aktruar në një audiopërgjim.
Me sa duket Alizoti ka aktruar me shpresën se duke mashtruar përsëri do ti shpëtojë burgut dhe së njejtës shpresë i është bashkuar edhe Salianji, tashmë i braktisur nga kolegët demokratë.
Përdorimi i të njejtëve aktorë që në çdo rast kanë kontakt me Salianjin, si mënyrë e shpejtë për t’i shpëtuar drejtësisë, është “gropa” ku ka rënë i vetëm Salianji dhe me sa duket asnjë nga PD nuk do t’i japë një dorë.
Mos të harrojmë se 14 telefonatat direkte, të siguruar nga tabulatet e Prokurorisë tregojnë që Salianji ka qenë personi i cili i ka lidhur Babalen dhe Alizotin me gazetarin Jetmir Olldashi
Tashmë që me vete në gropë mori edhe maskaradën “Babale”, Salianji do të duhet të mbajë përgjegjësinë e tij para organeve të drejtësisë për fabrikimin e një historie që trazoi për ditë me rradhë opinionin publik.