Monika Kryemadhi, ka ndarë përvojat e saj personale dhe jetën pas politikës dhe pas divorcit nga ish-presidenti Ilir Meta.
Kryemadhi foli hapur për transformimin që i solli divorci, duke theksuar se tani ndjehet më e lirë dhe më e qetë. Ajo tha se dikur zgjohen në mëngjes krah Metës, tani zgjohet krah së bijës.
“Tani jam më e lirë. Të vetmin ndryshim që kam sot, është se në mëngjes, nëse më parë në krevat kisha Ilir Metën, sot kam Bora Metën. Kam një jetë më të qetë se më parë. Kam një ritual më të qetë, merrem me veten. Pa titull. S’kam pasur titull më parë. Kam qenë në shërbim të të tjerëve. Të tjerët e kanë përdorur titullin tim”, tha ajo në emisionin ‘Kjo javë’ në News24.
Duke folur për ndikimin e divorcit te fëmijët e saj, Kryemadhi shtoi se ata janë shumë të rritur dhe divorci i rriti akoma më shumë.
“Fëmijet janë shumë të rritur. Divorci i rriti akoma më shumë. Nuk e mendonin. Por janë shumë të qetë, të pjekur. Janë të lënduar nuk diskutohet, por për shkak të shkollimit të tyre, mendojnë ndryshe. Tani po njohin tamam nënë dhe babanë. Na shihnin njerëz hermetik dhe robot.”, tha ajo.
Përsa i përket jetës politike, Kryemadhi tha se sfidat më të mëdha i kanë ardhur nga miqtë politikë dhe jo nga vetë politika.
“Mua s’më hëngri politika, por shokët. Historitë u përdorën për të larguar Monikën. Po të shikosh të gjithë historikun e Monikës, ka promovuar vetëm të rinjtë. Largimi im, largoi mekanizmin e barazisë. Erdhën njerëz nga rruga që e rrudhën partinë”, tha ajo.






